Home / Lajme / Tjera / OEK organizon trajnim 80-orësh për menaxhimin e tregut të energjisë elektrike

OEK organizon trajnim 80-orësh për menaxhimin e tregut të energjisë elektrike

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka hapur aplikimet për programin profesional të trajnimit “Menaxher i Tregut të Energjisë Elektrike”, i cili synon të zhvillojë njohuritë dhe aftësitë profesionale në menaxhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të OEK-së, programi përfshin pesë fusha kryesore: funksionimin e tregut të energjisë elektrike dhe kuadrin rregullator, tregtimin e energjisë dhe bursat energjetike, përfshirë ALPEX-in, menaxhimin e furnizimit dhe kontratave, analizën financiare dhe parashikimin e çmimeve, si dhe menaxhimin e rrezikut dhe tranzicionin energjetik.

Trajnimi u dedikohet menaxherëve dhe specialistëve të sektorit të energjisë, furnizuesve dhe tregtarëve të energjisë elektrike, përfaqësuesve të industrisë dhe bizneseve, si dhe profesionistëve që synojnë të zhvillojnë karrierën në këtë fushë, përcjell Energy Monitor.

Programi do të zgjasë gjithsej 80 orë dhe do të mbahet në ambientet e Odës Ekonomike të Kosovës. Trajnerët do të jenë ekspertë të energjisë elektrike dhe tregut energjetik, ndërsa pjesëmarrësit që përfundojnë trajnimin do të pajisen me certifikatë.

Fillimi i programit është paraparë pas formimit të grupit të pjesëmarrësve, ndërsa OEK ka bërë të ditur se numri i vendeve është i kufizuar.

Të interesuarit mund të aplikojnë përmes formularit online duke klikuar këtu.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com