Home / Lajme / Tjera / Ndërmarrja publike në Deçan shfrytëzon mbetjet e drurit për ngrohje, synon uljen e kostove të energjisë deri në 40%

Ndërmarrja publike në Deçan shfrytëzon mbetjet e drurit për ngrohje, synon uljen e kostove të energjisë deri në 40%

Një sistem i ri i ngrohjes me biomasë, që shfrytëzon mbetjet e drurit nga aktivitetet pyjore, ka filluar të funksionojë në tetor në objektet e ndërmarrjes publike lokale NPL Higjiena në Deçan.

Projekti synon shfrytëzimin e mbetjeve të drurit si burim të energjisë për ngrohje, në vend që ato të trajtohen si mbeturina, duke krijuar njëkohësisht përfitime mjedisore dhe ekonomike për komunën.

Sipas CNVP Kosovës, sistemi i ri pritet të ulë kostot e energjisë për NPL Higjiena për 30 deri në 40 për qind. Përveç kursimeve, iniciativa synon të krijojë mundësi të reja punësimi dhe të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të pyjeve, përcjell Energy Monitor.

Drejtoresha e NPL Higjiena, Albana Lokaj Avdiu, ka thënë se sistemi pritet të sjellë përfitime përtej ngrohjes, përfshirë mbështetjen për rrallimin e pyjeve dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tyre.

Nisma ka përfshirë edhe komunitetin lokal. Banorët kanë filluar të sjellin mbetjet e drurit nga pronat e tyre dhe zonat përreth në objektet e ndërmarrjes, ku materiali grumbullohet dhe klasifikohet si biomasë për përdorim të mundshëm energjetik.

Sipas CNVP-së, kjo qasje synon të krijojë një zinxhir lokal të vlerës për biomasën, duke lidhur menaxhimin e pyjeve me prodhimin e energjisë dhe ekonominë lokale.

Iniciativa është pjesë e projektit SUNREED, që zbatohet nga CNVP Kosovo me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Prishtinë përmes agjencisë Sida.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com