Kompania REAL INVEST SH.P.K. ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për marrjen e autorizimit për ndërtimin e një parku solar me kapacitet të instaluar prej 1.63 megavatësh në zonën kadastrale të Gurakocit, në Komunën e Istogut.
Aplikacioni është dorëzuar më 13 tetor 2026, në përputhje me Rregullën Nr. 03/2022 për Procedurën e Autorizimit për Ndërtimin e Projekteve të Energjisë.
Sipas njoftimit publik, projekti përfshin ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga panelet fotovoltaike në parcelën kadastrale 01199-13 në Gurakoc, përcjell Energy Monitor.
Në dokumentacionin e dorëzuar në ZRRE përfshihen pëlqimi mjedisor i plotësuar, kushtet teknike ndërtimore, leja e ndërtimit e lëshuar nga Komuna e Istogut më 24 korrik 2026 dhe pëlqimi elektroenergjetik i KEDS-it, i lëshuar më 10 prill 2026.
Kompania ka dorëzuar gjithashtu dëshmitë për të drejtat pronësore mbi tokën, deklaratën për shitjen e energjisë, dëshmitë për posedimin e 10 për qind të vlerës së investimit, parakontratën për inxhinieri, prokurim dhe ndërtim (EPC), planin e biznesit dhe planin dinamik të realizimit, raporton Energy Monitor.
REAL INVEST ka deklaruar se energjia elektrike e prodhuar nga parku solar do të shitet bazuar në çmimet e tregut.
ZRRE ka njoftuar palët e interesuara se vërejtjet eventuale lidhur me aplikacionin mund t’i paraqesin brenda tetë ditësh nga publikimi i njoftimit. Dosja e aplikimit do të jetë në dispozicion për qasje, në përputhje me legjislacionin për qasje në dokumentet publike.
Dorëzimi i aplikacionit nuk nënkupton se projekti ka marrë ende autorizimin përfundimtar nga rregullatori.



