Qeveria e Kosovës ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrjet që kanë lidhje pronësore ose organizative me Serbinë, por vendimi nuk përfshin transaksionet që burojnë nga marrëveshjet e Brukselit për energjinë. Kjo i mundëson Elektroseverit, furnizuesit që operon në katër komunat veriore, të vazhdojë për momentin furnizimin me energji elektrike nga Serbia.
Vendimi është miratuar të hënën, më 16 nëntor, në mbledhjen e 11-të të Qeverisë. Ai përfshin ndalimin e blerjes, shitjes, importit dhe eksportit të energjisë elektrike me ndërmarrjet që kanë ndërmarrje amë të regjistruar në Serbi, janë degë të kompanive serbe apo kanë lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me persona fizikë ose juridikë të regjistruar në Serbi.
Për zbatimin e vendimit, Qeveria ka obliguar Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) që të identifikojë ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në sektorin e energjisë elektrike, duke u bazuar edhe në të dhënat për pronësinë dhe pronarët përfitues.
Megjithatë, pika 7 e vendimit parasheh një përjashtim të rëndësishëm.
“Përjashtimisht, ndalimi i përcaktuar me këtë Vendim nuk zbatohet për transaksionet dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë elektrike, që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit për Energjinë e vitit 2013, Konkluzionet e Lehtësuesit të Bashkimit Evropian për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015, si dhe Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, i datës 21 qershor 2022”, thuhet në vendim.
Përjashtimi lidhet me kornizën e marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, përmes së cilave ishte përcaktuar funksionimi i një furnizuesi të licencuar në Kosovë për të mbuluar konsumatorët në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Në këtë kuadër është themeluar Elektrosever, kompani e regjistruar në Kosovë, e cila është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për furnizimin me energji elektrike në këto komuna.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka konfirmuar se Elektrosever aktualisht furnizohet me energji elektrike nga Serbia dhe se kjo kompani përbën përjashtimin nga masa e miratuar nga Qeveria.
Kështu, ndonëse vendimi ndalon tregtimin e energjisë me ndërmarrjet e identifikuara si të lidhura me Serbinë, transaksionet e Elektroseverit vazhdojnë të lejohen për shkak të bazës së tyre në marrëveshjet e Brukselit. Përjashtimi nuk është territorial për tërë veriun, por lidhet konkretisht me aktivitetet që burojnë nga këto marrëveshje.
Rizvanolli ka bërë të ditur se Qeveria mund ta shqyrtojë edhe këtë përjashtim në të ardhmen. Ajo ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për mënyrën se si Elektroseveri arrin të ofrojë tarifa më të ulëta për konsumatorët në veri, pavarësisht kostove të furnizimit, duke sugjeruar që ZRRE-ja të analizojë operimin e kompanisë dhe dallimet në tarifat e aplikuara.
Vendimi i Qeverisë vjen si kundërmasë ndaj bllokimit nga Serbia të alokimit komercial dhe tregtimit të energjisë në linjat ndërkufitare të interkoneksionit me Kosovën. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se bllokimi i dy linjave 400 kV pengon transitin e energjisë nga vendet e tjera drejt Kosovës dhe shkakton pasoja financiare dhe rreziqe për sigurinë e furnizimit.
Sipas Qeverisë, masa mund të zgjerohet nëse Serbia nuk ndryshon qëndrimin lidhur me shfrytëzimin e linjave ndërkufitare.



