Home / Lajme / Kosova / Qeveria e Kosovës ndërpret tregtimin e energjisë-elektrike nga kompanitë e Serbisë, miraton masa emergjente 60-ditore për energjinë elektrike

Qeveria e Kosovës ndërpret tregtimin e energjisë-elektrike nga kompanitë e Serbisë, miraton masa emergjente 60-ditore për energjinë elektrike

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara nga Serbia, duke përfshirë blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike.

Duke prezantuar pikat e rendit të ditës në mbledhjen e Qeverisë, më 16 nëntor, Kurti ka thënë se kjo masë vjen si kundërpërgjigje ndaj bllokimit nga Serbia të alokimit komercial dhe tregtimit në linjat ndërkufitare të energjisë elektrike me Kosovën.

Sipas tij, masa do të jetë fillestare dhe mund të përshkallëzohet nëse Beogradi zyrtar nuk ndryshon qëndrim.

“Në këtë fazë përjashtim do të bëhet për furnizuesin e themeluar në bazë të marrëveshjes së Brukselit për energji”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se Ministria e Ekonomisë do ta përcjellë situatën dhe do të shqyrtojë masa të mëtejshme, përfshirë edhe këtë furnizues.

Dy vendimet e tjera të paralajmëruara lidhen me furnizimin gjatë muajit dhjetor. Qeveria synon t’i vendosë KEK-ut obligim publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare, ndërsa për Ibër Lepencin parashihet vendosja e masave emergjente që do t’i mundësonin shitjen e energjisë elektrike për shërbimin publik, përcjell Energy Monitor.

Kurti ka theksuar se ndalimi nuk nënkupton se Kosova dëshiron të importojë energji elektrike nga Serbia, por se bllokimi i linjave po pamundëson shfrytëzimin e tyre për tranzit të energjisë nga vendet e tjera.

Ai ka thënë se Serbia vazhdon të bllokojë dy linjat e interkoneksionit 400 kV, duke penguar qarkullimin e lirë të energjisë elektrike përmes territorit të saj.

Sipas Kurtit, kjo situatë ka shkaktuar mbingarkesa në linjat e tjera ndërkufitare, veçanërisht me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë.

Ai ka përmendur si shembuj datat 14 dhe 20 janar të këtij viti, kur, sipas tij, Kosova nuk kishte mundur të siguronte sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, duke e detyruar KOSTT-in të aplikonte reduktime në furnizim.

Kurti ka rikujtuar se më 14 dhjetor 2026 bëhen gjashtë vjet nga funksionalizimi i pavarësisë së plotë të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria ka kërkuar vazhdimisht mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për zhbllokimin e linjave, ndërsa ka përmendur edhe vendimin e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, i cili në dhjetor 2025 kishte konstatuar shkeljen e traktatit nga Serbia dhe kishte kërkuar lirimin e linjave deri më 1 korrik 2026.

Meqë ky afat ka kaluar pa u zbatuar vendimi, Qeveria po kalon në masa të njëanshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com