Korporatës Energjetike të Kosovës i është vendosur dje obligimi i Shërbimit Publik për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se KEK obligohet që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të sigruar të drejtat e përdorimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit të energjisë elektrike për muajin dhjetor, përcjell Buletini Ekonomik.
Ai tha se kjo masë vjen me qëllim të ruajtjes së sigurisë së furnizimit.
“Me qëllim të ruajtjes së sigurisë së furnizimit, Ministria ka sugjeruar vendosjen e Shërbimit Publik ndaj KEK përmes së cilit KEK obligohet që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të sigruar të drejtat e përdorimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit të energjisë elektrike për muajin dhjetor”, tha Kurti, në mbledhjen e Qeverisë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cilësoi këtë si masë parandaluese.
“Si masë parandaluese, propozojmë që KEK’ut t’i vendoset një obligim i përkohshëm i Shërbimit Publik, që KEK’ut të obligohet të sigurojë të drejtat e përdorimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit, për periudhën nga 1 dhjetori deri më 31 dhjetor 2026, që synon sigurimin në kohë kapacitete e nevojshme për mundësimin e tregtisë”, tha Rizvanolli. /Buletini Ekonomik



