Home / Lajme / Ndërkombëtare / BE-ja ndan 229 milionë euro për lidhjen nënujore të ishujve Dodekanezë me rrjetin elektrik të Greqisë

BE-ja ndan 229 milionë euro për lidhjen nënujore të ishujve Dodekanezë me rrjetin elektrik të Greqisë

Bashkimi Evropian ka ndarë 228.9 milionë euro grante për fazën e parë të projektit të ndërlidhjes elektrike të ishujve Dodekanezë me rrjetin kontinental të Greqisë, përmes një kablloje nëndetare të tensionit të lartë që do të lidhë Korinthin me ishullin Kos.

Projekti, me një buxhet të përgjithshëm prej 2.54 miliardë eurosh për fazën e parë, synon t’i japë fund izolimit energjetik të ishujve në Detin Egje, të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të mundësojë largimin gradual nga prodhimi i energjisë elektrike në termocentrale që përdorin naftë.

Sipas Agjencisë Ekzekutive Evropiane për Klimën, Infrastrukturën dhe Mjedisin (CINEA), granti prej 228.9 milionë eurosh do të ndahet përmes Instrumentit të Huadhënies për Sektorin Publik (PSLF), ndërsa projekti do të mbështetet edhe me një kredi prej 1.53 miliardë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI).

Pjesa tjetër e financimit përfshin 534 milionë euro grante nga Fondi Grek për Dekarbonizimin. Kontributi i BE-së përbën mbështetjen më të madhe të dhënë deri më tani për një projekt të vetëm në kuadër të këtij instrumenti financiar.

Faza e parë, e cila do të zbatohet nga Operatori i Pavarur i Transmetimit të Energjisë në Greqi (IPTO/ADMIE), parasheh ndërtimin e një kablloje nëndetare me rrymë të vazhduar të tensionit të lartë (HVDC) ndërmjet Korinthit në pjesën kontinentale të Greqisë dhe ishullit Kos. Projekti përfshin edhe dy stacione konvertuese AC/DC dhe infrastrukturën përcjellëse të transmetimit, përmes së cilave Kos do të integrohet në sistemin kombëtar të transmetimit të energjisë elektrike të Greqisë.

Në fazën e dytë, e cila nuk përfshihet në financimin e grantit të ri të BE-së, parashihet zgjerimi i rrjetit përmes lidhjeve me rrymë alternative (AC) drejt ishujve Rodos dhe Karpathos. Përmes këtyre lidhjeve, sistemi do të shtrihet edhe në ishujt e tjerë të rajonit, duke reduktuar varësinë e tyre nga njësitë lokale të prodhimit të energjisë me naftë.

Projekti synon të zëvendësojë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit lokal nga karburantet fosile me energji të furnizuar përmes rrjetit kontinental, i cili ofron mundësi më të mëdha për integrimin e burimeve të ripërtëritshme.

Sipas vlerësimeve të CINEA-s, vetëm faza e parë pritet të shmangë emetimin e rreth 7.7 milionë tonëve të dioksidit të karbonit gjatë 25 vjetëve, apo mesatarisht rreth 309 mijë tonë në vit.

Ndërlidhja pritet të përmirësojë edhe kushtet për zhvillimin ekonomik të ishujve, veçanërisht në turizëm, transport dhe sektorin detar. Faza e parë parashihet të krijojë rreth 40 vende të përhershme pune, ndërsa lidhja me rrjetin kontinental do të mundësojë furnizim më të qëndrueshëm dhe ulje të kostove të prodhimit të energjisë.

Kryesuesi i IPTO-s, Manos Manousakis, ka vlerësuar se projekti do t’i japë fund izolimit energjetik të rajonit, do të përshpejtojë largimin nga termocentralet me naftë dhe do të krijojë mundësi për shfrytëzimin më të madh të potencialit të energjisë së ripërtëritshme në Detin Egje.

Kontrata për ndërlidhjen nënujore ndërmjet Korinthit dhe Kos-it ishte nënshkruar më 9 nëntor ndërmjet IPTO-s dhe kompanisë Hellenic Cables. Projekti teknik përfshin një sistem HVDC prej 320 kilovoltësh, me kapacitet transmetues prej 1.000 megavatësh dhe rreth 1.290 kilometra kabllo nëndetare dhe nëntokësore. Përfundimi i tij është planifikuar për vitin 2030.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com