Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka publikuar të dhëna për importin e energjisë elektrike nga Serbia në Kosovë, duke bërë të ditur se gjatë periudhës 2021–2026 importi nga ky shtet ka qenë dukshëm më i ulët krahasuar me periudhën 2015–2020, raporton Kujdestari.info.
Përmes një grafiku të publikuar në rrjetet sociale, Rizvanolli ka paraqitur krahasimin e sasisë dhe vlerës financiare të energjisë së importuar nga Serbia gjatë dy periudhave.
“Dhe ky 0.6% është importuar nga kompani private e jo publike”, ka shkruar Rizvanolli krahas fotografisë.
Sipas të dhënave të paraqitura në grafik, gjatë periudhës 2015–2020, Kosova kishte importuar nga Serbia 2,582 GWh energji elektrike, me vlerë prej rreth 140 milionë eurosh. Kjo sasi përbënte 52.767% të importit të përgjithshëm të energjisë, ndërsa vlera financiare përfaqësonte 51.61% të vlerës totale të importeve.

Ndërkaq, gjatë periudhës 2021–2026, deri në tetor të këtij viti, sipas të njëjtit grafik, nga Serbia janë importuar 49.5 GWh energji elektrike, në vlerë prej 6.5 milionë eurosh.
Kjo sasi përbën 0.648% të importit të përgjithshëm, ndërsa vlera financiare 0.61% të totalit.
Në grafikun e publikuar nga Rizvanolli, krahasimi i dy periudhave paraqet një rënie prej 98.1% në sasinë e energjisë së importuar nga Serbia dhe prej 95.4% në vlerën financiare.
Publikimi i këtyre të dhënave vjen në kohën kur është hapur debati publik për tregtinë e energjisë elektrike me kompanitë serbe, pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e kësaj tregtie.
Me deklarimin e saj, Rizvanolli ka theksuar se pjesa prej rreth 0.6% e importeve nga Serbia gjatë periudhës 2021–2026 është realizuar nga kompani private dhe jo nga ndërmarrje publike.
Megjithatë, grafiku nuk identifikon kompanitë që kanë realizuar importet, as subjektet prej të cilave është blerë energjia elektrike.



