Home / Lajme / Kosova / Kapacitetet energjetike në Kosovë rriten ngadalë, linjiti mbetet dominues, sipas raportit të GAP-it

Kapacitetet energjetike në Kosovë rriten ngadalë, linjiti mbetet dominues, sipas raportit të GAP-it

Sipas një analize të Institutit GAP për zhvillimet në sektorin e energjisë gjatë periudhës 2018–2025, kapaciteti i përgjithshëm operativ për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë është rritur në mënyrë të ngadaltë, ndërsa struktura e sistemit energjetik vazhdon të mbetet e varur kryesisht nga linjiti.

Raporti thekson se kapaciteti total i instaluar është rritur nga rreth 1,076 MW në vitin 2018 në 1,261 MW në vitin 2025. Sipas GAP-it, kjo rritje është nxitur pothuajse tërësisht nga investimet në burime të ripërtëritshme të energjisë, ndërsa kapaciteti i termocentraleve me linjit ka mbetur i pandryshuar gjatë gjithë periudhës në nivelin 960 MW.

Në segmentin e burimeve të ripërtëritshme, raporti evidenton rritje të dukshme në energjinë e erës, nga 33.8 MW në vitin 2018 në 137.2 MW në vitin 2025, kryesisht pas vënies në funksion të parkut të erës SOWI në vitin 2021. Kapaciteti hidroenergjetik është rritur nga 75.5 MW në 128.5 MW, ndërsa energjia diellore nga 6.6 MW në 35.5 MW, përfshirë ndërtimin e gjashtë impianteve fotovoltaike me kapacitet të kombinuar prej 21.5 MW, përcjell Energy Monitor.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve, pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në kapacitetin e përgjithshëm të instaluar është rritur nga rreth 11 për qind në vitin 2018 në afërsisht 24 për qind në vitin 2025. Megjithatë, sipas raportit të GAP-it, linjiti vazhdon të mbetet burimi dominues i sistemit energjetik në Kosovë.

Në vitin 2025, kapaciteti i kombinuar i termocentraleve Kosova A dhe Kosova B ka qëndruar në 960 MW, duke përfaqësuar rreth 76 për qind të kapacitetit total. Ky dominim reflektohet edhe në prodhimin e energjisë elektrike, ku në vitin 2025 termocentralet me linjit kanë gjeneruar rreth 4,687 GWh, ose 88.5 për qind të prodhimit total, ndërsa burimet e ripërtëritshme kanë kontribuar me rreth 612 GWh, apo 11.5 për qind, njofton Energy Monitor.

Raporti vëren se prodhimi nga burimet e ripërtëritshme ka shënuar luhatje gjatë periudhës 2018–2025, duke u rritur veçanërisht në periudhën 2021–2023, kur arriti në rreth 768 GWh, si rezultat i vënies në funksion të kapaciteteve të reja të erës dhe integrimit më të mirë të tyre në sistem. Në vitin 2024 është regjistruar rënie e prodhimit nga këto burime për shkak të kushteve hidrologjike, megjithatë niveli i tyre ka mbetur dukshëm mbi mesataren e viteve të mëparshme.

Sipas GAP-it, zhvillimi i sektorit është mbështetur nga korniza strategjike dhe ligjore, përfshirë Strategjinë e Energjisë 2022–2031 dhe Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë, si dhe nga përafrimi me politikat klimatike të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër përmendet edhe ankandi i parë për një park solar prej 100 MW në vitin 2024, me çmim të kontraktuar prej 48.88 euro/MWh, si dhe planet për rreth 700 MW projekte të reja në energjinë diellore dhe të erës.

Megjithatë, raporti thekson se ritmi i zhvillimit të kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme mbetet i ngadalshëm në raport me objektivat afatgjata. Ndër sfidat kryesore përmenden procedurat e gjata të pajisjes me leje dhe licencim, fragmentimi institucional, kufizimet në kapacitetet e rrjetit elektrik dhe mungesa e digjitalizimit të proceseve administrative. Sipas vlerësimeve të përfshira në raport, procesi i pajisjes me leje për projektet e energjisë së ripërtëritshme mund të zgjasë deri në tre vjet, duke ndikuar në vonesa të zbatimit të projekteve dhe në ritmin e përgjithshëm të tranzicionit energjetik në vend.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com