Home / Lajme / Tjera / Nafta shitet me 1.78 euro për litër në Kosovë, MINTI shton inspektimet por nuk vendos çmim tavan

Nafta shitet me 1.78 euro për litër në Kosovë, MINTI shton inspektimet por nuk vendos çmim tavan

Çmimi i naftës në Kosovë vazhdon të mbetet afër 1.80 euro për litër, pavarësisht rënies së fundit të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Deri më tani, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) nuk ka rikthyer masën e çmimit tavan dhe as nuk është vendosur për heqjen apo uljen e akcizës për derivatet.

Sipas të dhënave të publikuara më 17 nëntor nga Lajmi.net, nafta në pompat e derivateve në Kosovë po shitet me rreth 1.78 euro për litër, ndërsa benzina me 1.42 euro.

Në një përgjigje për këtë medium, MINTI ka bërë të ditur se ka intensifikuar mbikëqyrjen e tregut përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, në mënyrë që lëvizjet në çmimet ndërkombëtare të reflektohen edhe te konsumatorët në Kosovë.

Ministria ka njoftuar se gjatë dy ditëve të fundit janë shtuar aktivitetet inspektuese dhe se është në komunikim të vazhdueshëm me Doganën e Kosovës për të siguruar të dhëna ditore mbi çmimet e importit, përcjell Energy Monitor.

Sipas të dhënave të Doganës, çmimi mesatar i naftës ka rënë brenda 24 orëve nga 1.83 në 1.79 euro për litër, ndërsa benzina ka arritur në 1.43 euro për litër.

Për vlerësimin e çmimeve në tregun vendor, MINTI thotë se përdor tri referenca: çmimin mesatar të furnizimit të ditës paraprake, çmimin mesatar të furnizimit të 10 milionë litrave të fundit të importuara dhe çmimin mesatar të shitjes në tregun vendor.

Megjithatë, pavarësisht monitorimit dhe inspektimeve, nafta vazhdon të shitet me çmim dukshëm më të lartë se mesatarja e importit të raportuar nga ministria.

MINTI ka deklaruar se synon të parandalojë devijimet e pajustifikuara të çmimeve dhe se inspektimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Deri më tani, megjithatë, nuk ka paralajmëruar rikthimin e çmimit maksimal të lejuar për shitjen e derivateve.

Një tjetër çështje e ngritur në debat është barra fiskale mbi derivatet. Aktualisht, akciza për naftën është fikse në 36 centë për litër, ndërsa Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) aplikohet me normë standarde prej 18% mbi bazën përkatëse të tatueshme, ku përfshihet edhe akciza.

Kjo nënkupton se akciza dhe TVSH-ja përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të çmimit përfundimtar që paguajnë konsumatorët. Megjithatë, ulja e akcizës do të kërkonte vendimmarrje fiskale nga institucionet përgjegjëse dhe do të ndikonte drejtpërdrejt në të hyrat buxhetore.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com