Home / Lajme / Kosova / INDEP: Kosova ka shkelur dy herë Traktatin e Komunitetit të Energjisë për shkak të vonesave në reforma

INDEP: Kosova ka shkelur dy herë Traktatin e Komunitetit të Energjisë për shkak të vonesave në reforma

Komiteti Këshillëdhënës i Komunitetit të Energjisë ka konstatuar dy raste të mospërmbushjes së obligimeve nga Kosova, që lidhen me mosmiratimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe transpozimin e legjislacionit evropian për monitorimin e emetimeve të gazrave serrë. INDEP kërkon veprim urgjent nga Qeveria.

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka ngritur shqetësimin për dy opinione të publikuara nga Komiteti Këshillëdhënës i Komunitetit të Energjisë, përmes të cilave janë konstatuar shkelje të obligimeve të Kosovës që burojnë nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Rasti i parë ka të bëjë me mosmiratimin dhe mosdorëzimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP), afati për të cilin ka qenë 30 qershori 2024. Rasti i dytë lidhet me mosplotësimin e obligimeve për përafrimin e legjislacionit vendor me atë evropian në fushën e klimës, veçanërisht për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve të gazrave serrë, përcjell Energy Monitor.

Në reagimin e publikuar të premten, INDEP i ka cilësuar këto raste si pasojë të shtyrjeve, vonesave, bllokadave dhe mungesës së veprimit në sektorin e energjisë.

Instituti rikujton se ka kërkuar vazhdimisht miratimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë që nga viti 2024, duke theksuar se dokumenti është thelbësor për planifikimin e investimeve, sigurinë e furnizimit, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe përmbushjen e objektivave klimatike.

Sipas INDEP-it, më shumë se dy vjet pas afatit të përcaktuar dhe mbi pesë vjet nga fillimi i punës për hartimin e tij, Kosova ende nuk e ka miratuar dhe as zbatuar këtë plan.

Instituti paralajmëron se vonesat në planifikimin dhe reformat energjetike nuk kanë vetëm pasoja juridike për shtetin, por krijojnë edhe kosto ekonomike për qytetarët dhe bizneset, duke penguar investimet dhe përgatitjen e ekonomisë për kërkesat e tregut evropian.

INDEP i ka bërë thirrje Qeverisë që ta miratojë pa vonesa të mëtejshme Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë, të plotësojë kornizën ligjore për monitorimin dhe raportimin e emetimeve dhe të publikojë një kalendar të qartë për përmbushjen e obligimeve të mbetura nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, transmeton Energy Monitor.

Sipas institutit, Kosova nuk mund të vazhdojë të shpallë objektiva ambicioze për tranzicionin energjetik, ndërkohë që nuk përmbush obligimet themelore që duhet t’i japin përmbajtje këtij procesi.

Konstatimet vijnë në një periudhë kur sektori energjetik i Kosovës po përballet edhe me sfida të tjera, përfshirë sigurinë e furnizimit, nevojën për kapacitete të reja prodhuese dhe zbatimin e reformave të tregut të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com