Prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme në Kosovë, Shqipëri dhe vendet e tjera të Komunitetit të Energjisë mund të fitojnë qasje në tregun e Bashkimit Evropian përmes shitjes së Garancive të Origjinës. Një kuadër i ri për njohjen e këtyre certifikatave pritet të miratohet më 30 nëntor nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë, duke krijuar mundësi për të ardhura shtesë për prodhuesit e energjisë së gjelbër në rajon.
Propozimi, i përgatitur në bashkëpunim me Komisionin Evropian, parasheh njohjen e ndërsjellë të Garancive të Origjinës të lëshuara nga nëntë palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe shtetet anëtare të BE-së. Kjo përfshin Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Moldavinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Sipas propozimit të Komisionit Evropian, njohja do të mundësojë që certifikatat e lëshuara në vendet e Komunitetit të Energjisë të përdoren në tregun evropian, duke u dhënë prodhuesve mundësinë që të përfitojnë ekonomikisht nga atributet e ripërtëritshme të energjisë së prodhuar. Deri më tani, certifikatat e lëshuara në rajon nuk mund të përdoreshin në tregun e BE-së.
Nisma u bë e ditur më 20 nëntor nga drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, gjatë Asamblesë Parlamentare të organizatës në Vjenë. Ai theksoi se njohja e ndërsjellë do të shërbejë si stimul për investimet në burimet e ripërtëritshme, duke krijuar një mundësi të re tregtare për prodhuesit në rajon.
Megjithatë, qasja në tregun evropian nuk do të jetë automatike. Sistemet kombëtare duhet të përmbushin kushtet teknike dhe rregullative të përcaktuara në kuadrin e ri, ndërsa njohja do të varet nga vlerësimi i përputhshmërisë së tyre.
Kosova përgatit sistemin për integrim në tregun evropian
Për Kosovën, zhvillimi ka rëndësi të veçantë, pasi vendi tashmë ka ndërmarrë hapa për krijimin e një sistemi funksional të Garancive të Origjinës.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) po zhvillon kornizën rregullative dhe institucionale për zbatimin e këtij mekanizmi, me mbështetjen e programit të financuar nga Luksemburgu dhe të zbatuar nga Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim dhe Zhvillim (LuxDev). Asistenca përfshin përgatitjen për zbatimin e Sistemit Evropian të Certifikatave të Energjisë (EECS) dhe bashkëpunimin me Asociacionin e Organeve Lëshuese (AIB).
Një hap i rëndësishëm ishte anëtarësimi i ZRRE-së me të drejta të plota në AIB, në nëntor të vitit 2025, ndërsa në prill të vitit 2026 Bordi i rregullatorit miratoi Rregullën për Garancitë e Origjinës. Kjo përcakton procedurat për lëshimin, transferimin dhe anulimin e certifikatave, regjistrimin e impianteve prodhuese dhe hapjen e llogarive për pjesëmarrësit në sistem.
Megjithatë, anëtarësimi në AIB dhe miratimi i rregullës kombëtare nuk nënkuptojnë vetvetiu se certifikatat kosovare tashmë njihen në tregun e BE-së. Për këtë nevojitet përmbushja e kushteve të kuadrit të ri dhe përfundimi i procedurave përkatëse të njohjes.
Rëndësia ekonomike e këtij mekanizmi është theksuar edhe nga Balkan Green Foundation (BGF), e cila ka publikuar një studim mbi potencialin e Garancive të Origjinës për rritjen e konkurrueshmërisë së eksporteve të Kosovës. Sipas studimit, këto certifikata mund të ndihmojnë kompanitë kosovare të dëshmojnë përdorimin e energjisë së ripërtëritshme dhe të përmirësojnë pozitën e tyre në tregjet ndërkombëtare.
Maqedonia e Veriut ka nisur tregtimin e certifikatave
Një shembull konkret i zhvillimit të këtij tregu në rajon vjen nga Maqedonia e Veriut, e cila në fund të tetorit organizoi ankandin e parë për Garancitë e Origjinës. Nga 35 mijë certifikata të ofruara për energjinë e prodhuar nga era, u shitën 34 mijë, me një çmim mesatar prej 0.35 euro për certifikatë.
Garancitë e Origjinës janë certifikata elektronike që dëshmojnë se një megavat-orë energji elektrike është prodhuar nga një burim i caktuar, si era, dielli apo uji. Ato mund të tregtohen veçmas nga energjia fizike dhe u mundësojnë kompanive të dëshmojnë origjinën e ripërtëritshme të energjisë që konsumojnë.
Për prodhuesit, ky mekanizëm krijon një burim potencial shtesë të të ardhurave, përveç shitjes së energjisë elektrike. Për kompanitë konsumatore, ndërkaq, ofron mundësi për të dokumentuar përdorimin e energjisë së pastër, një element që po merr rëndësi në objektivat e dekarbonizimit dhe kërkesat e tregjeve evropiane.
Vendimi i 30 nëntorit pritet të jetë një hap i rëndësishëm në integrimin e tregjeve energjetike të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera të Komunitetit të Energjisë me Bashkimin Evropian. Takimi i 24-t i Këshillit Ministror do të mbahet në Vjenë, ndërsa Kosovën në kryesimin e organizatës për vitin 2026 e përfaqëson ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Nëse miratohet, vendimi do të krijojë bazën ligjore për njohjen e Garancive të Origjinës, por përfitimi konkret nga ky mekanizëm do të varet nga përgatitja dhe përputhshmëria e sistemeve kombëtare.



