Publicisti Veton Surroi ka propozuar që Kosova të shqyrtojë mundësinë e ndërtimit të një hidrocentrali në Shqipëri, në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve për rritjen e sigurisë energjetike dhe furnizimin me energji elektrike.
Duke folur në emisionin “Konfront” të KTV-së, Surroi ka thënë se Kosova ka nevojë për hidroenergji, por nuk ka kapacitete të mjaftueshme lumore për zhvillimin e projekteve të tilla. Për këtë arsye, sipas tij, mund të shqyrtohet shfrytëzimi i resurseve ujore të Shqipërisë përmes një marrëveshjeje ndërmjet dy shteteve.
“Ekziston formë tjetër që mendoj se duhet të shqyrtohet… Kosova ka nevojë për hidroenergji, ndonëse s’ka lumenj. Mund t’i shfrytëzojë resurset e Shqipërisë në marrëveshje me Shqipërinë. Në Shqipëri ekzistojnë dy hidrocentrale norvegjeze. Pse të mos ekziston një hidrocentral i ndërtuar nga Kosova për nevojat e ALPEX-it”, ka thënë Surroi.
Ai e ka përmendur këtë mundësi si një nga drejtimet që Kosova mund të ndjekë për të forcuar sigurinë energjetike, krahas bashkëpunimit përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX), e cila është krijuar nga Kosova dhe Shqipëria për tregtimin e energjisë elektrike.
Surroi ka theksuar se bashkëpunimi energjetik me Shqipërinë mund të shkojë përtej tregtimit të energjisë, duke përfshirë edhe investime të përbashkëta në kapacitete prodhuese.
Një tjetër drejtim strategjik që ai ka përmendur është bashkëpunimi me kompanitë amerikane në fushën e gazifikimit të qymyrit. Sipas Surroit, SHBA-ja është në avancimin e kërkimeve dhe zbatimit të teknologjive që mundësojnë shndërrimin e qymyrit në gaz dhe forma të tjera të përdorshme të energjisë.
“Do të ishte veprim strategjik për një periudhë shumë të gjatë ndërlidhja e Kosovës me kompanitë amerikane që merren me këtë çështje. Një nga to është në Dakotën e Veriut”, ka deklaruar ai.
Duke folur për gjendjen e sektorit energjetik në Kosovë, Surroi ka vlerësuar se vendi nuk ka bërë ndryshime transformuese në mënyrën e furnizimit me energji dhe se kapacitetet aktuale të prodhimit mbështeten në termocentrale të ndërtuara gjatë viteve ’70 dhe ’80.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për rritjen e kërkesës globale për energji, duke iu referuar parashikimeve për një rritje prej tetë për qind deri në vitin 2030, dhe ka theksuar rëndësinë e investimeve në kapacitete të reja për sigurinë energjetike.



