Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka diskutuar për tarifën prej 17 eurosh që konsumatorët duhet ta paguajnë për rikyçjen e energjisë elektrike, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, e ka kundërshtuar këtë tarifë, duke e cilësuar si ngarkesë shtesë për qytetarët. Ai ka kërkuar të dijë se sa janë tarifat për shkyçje dhe rikyçje në vendet e rajonit dhe pse konsumatorët në Kosovë duhet të paguajnë 17 euro.
Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Driton Gojani, ka thënë se të hyrat që operatori i siguron nga tarifat e shkyçjes dhe rikyçjes u kthehen konsumatorëve përmes procesit të rregullimit të të hyrave.
“Çdo e ardhur që vjen nga shkyçja dhe kyçja i kthehet konsumatorit në fund”, ka deklaruar Gojani, duke shtuar se çështja mbetet për t’u rishikuar, përcjell Energy Monitor.
Kërçeli e ka kundërshtuar këtë arsyetim, duke thënë se barra financiare bie drejtpërdrejt mbi konsumatorin që përballet me shkyçjen dhe duhet të paguajë për rikyçje.
Ai ka marrë si shembull një konsumator që nuk ka arritur të paguajë një faturë prej 20 eurosh, por që, pas shkyçjes dhe tarifës së rikyçjes, përballet me një detyrim prej 34 eurosh.
“Ngarkesa është veç për një qytetar. 20 euro s’ka pasë me pagu rrymën, po e ngarkojmë 34. Atij s’i kthehet”, ka thënë Kërçeli.



