Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Driton Gojani, ka bërë të ditur se raporti i hetimeve për importin e energjisë elektrike, i përfunduar në mars të këtij viti, do të shqyrtohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme të Bordit.
Gojani e konfirmoi këtë gjatë raportimit të martën para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion të Kuvendit të Kosovës, duke bërë të ditur se Prokuroria Speciale ka kërkuar informacione nga ZRrE-ja lidhur me importin e energjisë elektrike dhe dyshimet për manipulim të çmimeve.
Sipas tij, Prokurorisë i është dërguar edhe draft-raporti i hetimeve, ndonëse dokumenti ende nuk është shqyrtuar dhe miratuar nga Bordi i rregullatorit.
“Pjesa e raportit do të shqyrtohet në kohën më të shpejtë të mundshme në Bord”, ka deklaruar Gojani.
Raporti, i cili është përfunduar në mars, ka qenë në qendër të kritikave për shkak të vonesës në trajtimin e tij nga ZRrE-ja. Sipas raportimeve të Buletinit Ekonomik, dokumenti përmban gjetje që lidhen me dyshimet për manipulim të çmimeve të energjisë së importuar.
Raporti pritet të jetë i rëndësishëm për përcaktimin e përgjegjësive në procesin e importit, pasi hetimet janë zhvilluar në një kohë kur janë ngritur dyshime për kosto të pazakonta të energjisë elektrike dhe të kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit.
Në raportimet e mëparshme të Energy Monitor, bazuar në dokumentet e publikuara nga ZRrE-ja dhe KOSTT-i, janë evidentuar dyshime për rritjen e kostove të importit përmes ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare, ku përmenden edhe kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije”.
Në maj të këtij viti, Energy Monitor raportoi se ZRrE-ja kishte përfunduar draft-raportin e monitorimit të importit të energjisë elektrike, i cili trajtonte edhe mënyrën e përzgjedhjes së “Noa Energy Trade” nga KESCO si agjent për blerjet në bursat ndërkombëtare.
Megjithatë, gjetjet e raportit të ZRrE-së nuk duhet të ngatërrohen me një vendim përfundimtar të organeve të drejtësisë. Vetë KOSTT-i, në reagimin e tij pas publikimit të raportit të brendshëm për ankandet ndërkufitare, kishte sqaruar se dokumenti ishte informues dhe nuk përmbante konkluzione për manipulim të tregut.
Raporti i KOSTT-it, i cili ishte përgatitur në kuadër të hetimeve të ZRrE-së, kishte evidentuar bashkëpunim të dyshuar ndërmjet “Noa Energy Trade” dhe kompanisë shtetërore serbe “Elektroprivreda Srbije” në ankandet e SEECAO-s, përmes të cilave sigurohen kapacitetet ndërkufitare të transmisionit.
Ndërkohë, në mbledhjet e fundit të Bordit të ZRrE-së është diskutuar edhe vazhdimi i licencave për “Noa Energy Trade” dhe “EFT”. Shqyrtimi i aplikacioneve të tyre ishte shtyrë, ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të ZRrE-së, Astrit Saraqini, kishte deklaruar se hetimet e Prokurorisë nuk e pengojnë automatikisht procesin administrativ të licencimit.



