Home / Lajme / Rajoni / Prodhimi i energjisë në Shqipëri rritet 78% gjatë verës, hidrocentralet mbulojnë pjesën kryesore

Prodhimi i energjisë në Shqipëri rritet 78% gjatë verës, hidrocentralet mbulojnë pjesën kryesore

Shqipëria prodhoi 1.9 milionë MWh energji elektrike në tremujorin e tretë, 78% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Hidrocentralet kontribuuan me 73.8% të prodhimit, ndërsa burimet e tjera të ripërtëritshme me 26.2%. Megjithatë, humbjet në rrjet u rritën me 7.7%.

Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri u rrit ndjeshëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, i nxitur kryesisht nga prodhimi më i lartë i hidrocentraleve, por edhe nga shtimi i kontributit të burimeve të tjera të ripërtëritshme.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), në periudhën korrik-shtator u prodhuan rreth 1.9 milionë megavat orë (MWh) energji elektrike, afro 78% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Hidrocentralet publike mbuluan 57.9% të prodhimit, ndërsa ato private dhe koncesionare 15.9%. Pjesa tjetër, prej 26.2%, u sigurua nga prodhuesit e burimeve të tjera të ripërtëritshme, kryesisht parqet fotovoltaike, përcjell Energy Monitor.

Në total, prodhimi nga këto burime arriti në rreth 501 mijë MWh, duke dëshmuar rritjen e rolit të energjisë diellore në strukturën e prodhimit të Shqipërisë.

Rritja e prodhimit u reflektua edhe në tregtinë e energjisë elektrike. Gjatë tremujorit të tretë, Shqipëria importoi rreth 998 mijë MWh, 2.8% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në të njëjtën kohë, eksportet u rritën ndjeshëm. Vendi eksportoi rreth 620 mijë MWh energji elektrike, ose 98.8% më shumë se një vit më parë.

Megjithatë, rritja e prodhimit dhe eksporteve u shoqërua edhe me përkeqësim të treguesve të humbjeve në rrjet. Sipas INSTAT-it, humbjet arritën në 348 mijë MWh, 7.7% më shumë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, konsumi i energjisë elektrike gjatë muajve të verës u rrit me 14.3%. INSTAT e lidh këtë rritje edhe me temperaturat e larta, të cilat shtuan përdorimin e kondicionerëve nga familjet dhe bizneset.

Të dhënat tregojnë se, ndonëse prodhimi nga burimet e ripërtëritshme po diversifikohet dhe Shqipëria ka pasur më shumë energji në dispozicion për eksport, humbjet në rrjet dhe rritja e konsumit mbeten sfida për sektorin elektroenergjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com