Home / Lajme / Kosova / Vonesat në rikthimin e Kosovës B1 mund të rrisin faturat e energjisë, paralajmëron Sinanaj

Vonesat në rikthimin e Kosovës B1 mund të rrisin faturat e energjisë, paralajmëron Sinanaj

Blloku B1 i Termocentralit Kosova B, i cili ishte planifikuar të rikthehej në operim më 25 nëntor, mund të mbetet jashtë funksionit deri në mars të vitit 2027. Sipas Agon Sinanajt, kjo do ta detyrojë Kosovën të importojë më shumë energji gjatë dimrit, me kosto më të lartë që mund të reflektohen në faturat e konsumatorëve.

Vonesat në rikthimin në funksion të bllokut B1 të Termocentralit Kosova B pritet të kenë pasoja në koston e furnizimit me energji elektrike dhe, rrjedhimisht, në faturat e konsumatorëve, ka paralajmëruar Agon Sinanaj, redaktor në “Buletini Ekonomik”.

Duke folur në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Sinanaj ka thënë se, ndonëse blloku ishte planifikuar të rikthehej më 25 nëntor, sipas parashikimeve të fundit ai mund të hyjë në funksion vetëm në mars të vitit 2027.

Kjo do të nënkuptonte që Kosova të kalojë muajt më të vështirë të dimrit pa rreth 260 megavatë kapacitet prodhues, shkruan Energy Monitor.

Sinanaj ka vlerësuar se mungesa e këtij kapaciteti do të shtojë nevojën për import të energjisë elektrike, në një periudhë kur çmimet në tregjet rajonale dhe evropiane mund të jenë më të larta.

Ai ka kërkuar përgjegjësi institucionale për vonesat, duke e vënë theksin te Ministria e Ekonomisë, dhe ka paralajmëruar se kostot shtesë të furnizimit mund të përfshihen në shqyrtimin e ardhshëm tarifor.

“Dështimet, mungesa e këtij blloku, do të reflektohen në faturat e energjisë të qytetarëve kur të vijë te shqyrtimi i kostos”, ka thënë Sinanaj.

Ai ka komentuar edhe vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, duke e interpretuar atë si paralajmërim për një dimër të vështirë dhe rrezik për reduktime të energjisë.

Ndërkaq, lidhur me vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë me kompani me origjinë nga Serbia, Sinanaj ka thënë se ai përmban edhe elemente politike, përcjell Energy Monitor.

Sipas tij, vendimi vjen në një kontekst kur Qeveria është përballur për dy vjet me kritika nga opozita për blerjen e energjisë elektrike nga Serbia.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com