Komisioni Evropian propozon një kuadër bashkëpunimi mes qeverive, operatorëve të qendrave të të dhënave dhe kompanive energjetike, për të lehtësuar lidhjen e objekteve të reja me rrjetet elektrike, për të nxitur përdorimin e energjisë së pastër dhe për të shfrytëzuar nxehtësinë e tepërt që prodhojnë serverët. Angazhimet do të jenë vullnetare dhe nuk do të krijojnë detyrime ligjore për palët.
Komisioni Evropian po propozon një model të ri marrëveshjesh vullnetare mes qeverive kombëtare, operatorëve të qendrave të të dhënave dhe kompanive energjetike, me synimin për të lehtësuar ndërtimin e objekteve të reja dhe integrimin e tyre në sistemet energjetike.
Propozimi parashihet në një draft të Komisionit Evropian, të siguruar nga Euronews, i cili përcakton një kuadër bashkëpunimi trepalësh për planifikimin e projekteve, sigurimin e furnizimit me energji dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së qendrave të të dhënave.
Dokumenti, i titulluar “Modeli i BE-së për marrëveshjet trepalëshe për integrimin e qëndrueshëm të qendrave të të dhënave në sistemin energjetik”, nuk parasheh detyrime të detyrueshme për pjesëmarrësit. Në vend të kësaj, ai ofron një grup masash që shtetet anëtare mund t’i përzgjedhin dhe përshtatin sipas nevojave të tyre.
Këto masa përfshijnë lehtësimin e qasjes në rrjetet elektrike, përdorimin e energjisë së ripërtëritshme, investimet në bateri dhe sisteme të tjera të ruajtjes, fleksibilitetin e konsumit dhe shfrytëzimin e nxehtësisë së tepërt për ngrohjen e ndërtesave.
Drafti thekson se pjesëmarrja në marrëveshjet lokale trepalëshe do të jetë vullnetare dhe se angazhimet e palëve nuk do të krijojnë detyrime ligjore.
Paralelisht, Brukseli po përgatit rregulla dhe standarde të tjera për përmirësimin e qëndrueshmërisë së qendrave të të dhënave, duke ngritur pikëpyetje për shkallën në të cilën industria do të angazhohet përmes marrëveshjeve vullnetare.
Sipas të dhënave të përfshira në draft, kapaciteti i instaluar i qendrave të të dhënave në Bashkimin Evropian ishte rreth 12 gigavat (GW) në vitin 2025. Në të njëjtën periudhë, kapaciteti në SHBA vlerësohej në rreth 52 GW, ndërsa në Kinë në 28 GW.
Komisioni e konsideron zgjerimin e kësaj infrastrukture si të rëndësishëm për sovranitetin digjital të Evropës. Megjithatë, eurodeputetja Benedetta Scuderi ka vënë në pikëpyetje nëse zgjerimi i qendrave të të dhënave do ta forcojë realisht autonominë evropiane, veçanërisht nëse infrastruktura ndërtohet dhe kontrollohet nga kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë.
“Ne e dimë se kemi burime shumë të pakta për të ndërtuar qendra të të dhënave: energji, ujë dhe tokë. Duhet të jemi të sigurt se ajo që ndërtojmë është ajo që na nevojitet dhe se këto qendra nuk janë të mbipërmasuara ose të panevojshme në shkallë të gjerë”, ka deklaruar Scuderi.
Qendrat e të dhënave kërkojnë sasi të mëdha energjie elektrike për funksionimin e serverëve dhe sistemeve të ftohjes, ndërsa një pjesë e tyre konsumojnë edhe sasi të konsiderueshme uji. Sipas draftit të Komisionit, këto objekte tashmë përbëjnë rreth 2.5 për qind të konsumit të energjisë elektrike në BE.
Përqendrimi i tyre në zona të caktuara po shton presionin mbi rrjetet lokale, në një kohë kur Evropa ka nevojë për kapacitete shtesë edhe për elektrifikimin e transportit, ngrohjen e ndërtesave dhe dekarbonizimin e industrisë.
Përmes marrëveshjeve të propozuara, Komisioni synon që autoritetet publike, operatorët e qendrave të të dhënave dhe kompanitë energjetike të koordinojnë më herët planet e investimeve dhe nevojat infrastrukturore.
Qeveritë mund të përcaktojnë zona të përshtatshme për ndërtimin e qendrave të reja, duke marrë parasysh kapacitetet e disponueshme të rrjetit, ndikimin mjedisor dhe mundësitë për shfrytëzimin e nxehtësisë së tepërt. Një tjetër synim është koordinimi i investimeve në infrastrukturën elektrike, të ngrohjes dhe atë digjitale, si dhe përshpejtimi i procedurave për kyçje në rrjet.
Drafti propozon gjithashtu që para se të sigurojnë qasje në rrjet, projektet të kalojnë një vlerësim të gatishmërisë, duke përfshirë pajisjen me leje, sigurimin e financimit dhe përmbushjen e kushteve teknike. Kjo do të ndihmonte në parandalimin e projekteve spekulative që rezervojnë kapacitete të kufizuara të rrjetit pa pasur mundësi reale për t’u realizuar.
Nga ana tjetër, operatorët e qendrave të të dhënave do të inkurajohen të ndajnë me operatorët e rrjeteve parashikimet për konsumin e energjisë dhe të shqyrtojnë marrëveshje fleksibile të kyçjes.
Këto marrëveshje mundësojnë qasje më të shpejtë në rrjet në këmbim të kufizimit të konsumit gjatë periudhave kur sistemi elektroenergjetik është nën presion. Operatorët mund të inkurajohen gjithashtu të lidhin kontrata afatgjata për blerjen e energjisë së ripërtëritshme dhe të zhvendosin një pjesë të ngarkesës kompjuterike në orët kur energjia elektrike është më e disponueshme.
Një tjetër element i rëndësishëm është rikuperimi i nxehtësisë së tepërt që prodhohet nga serverët. Kjo energji mund të përdoret për ngrohjen e banesave, shkollave dhe spitaleve përmes rrjeteve të ngrohjes qendrore.
Drafti u kërkon operatorëve të shqyrtojnë mundësitë për lidhjen me rrjetet lokale të ngrohjes dhe të përgatisin plane për rikuperimin e nxehtësisë. Qeveritë, ndërkaq, mund të mbështesin këto investime përmes planifikimit të infrastrukturës, marrëveshjeve për blerjen e nxehtësisë për ndërtesat publike dhe financimit të kostove fillestare.
Megjithatë, propozimi nuk kërkon që çdo qendër e re e të dhënave të sigurojë prodhim shtesë të energjisë së ripërtëritshme në masë të barabartë me konsumin e saj. Në vend të kësaj, shtetet anëtare ftohen të shqyrtojnë mundësitë për të përafruar në kohë furnizimin me energji të pastër me kërkesën e këtyre objekteve.
Scuderi ka paralajmëruar se rritja e kërkesës për energji nga qendrat e të dhënave mund të shkaktojë presion shtesë mbi sistemet energjetike dhe të rrisë çmimet për konsumatorët dhe industrinë.
Sipas saj, zgjerimi i kësaj infrastrukture duhet të mbështetet kryesisht në energjinë e ripërtëritshme, pa shkaktuar rritje të emetimeve dhe pa shtuar varësinë nga prodhimi i energjisë elektrike me lëndë djegëse fosile.
Edhe pse Direktiva e BE-së për Efiçiencën e Energjisë përmban tashmë kërkesa për vlerësimin e mundësive të rikuperimit të nxehtësisë së tepërt, angazhimet shtesë të propozuara në marrëveshjet e reja do të mbeten vullnetare.
Kjo do të thotë se kuadri mund të nxisë planifikim dhe bashkëpunim më të mirë, por nuk garanton që nxehtësia e prodhuar nga qendrat e të dhënave do të shfrytëzohet për nevojat e komuniteteve përreth.
Komisioni Evropian ka hartuar modelin me kontributin e autoriteteve nga 18 shtete anëtare dhe 14 shoqatave të industrisë, që përfaqësojnë sektorët e qendrave të të dhënave, rrjeteve elektrike, energjisë së ripërtëritshme dhe ruajtjes së energjisë.
Marrëveshjet e para lokale pritet të nisin në vitin 2027, ndërsa Komisioni synon të monitorojë progresin çdo vit deri të paktën në vitin 2035.



