Home / Lajme / Kosova / Në veri të Kosovës, rreth 39% e energjisë së konsumuar mbeti e pafaturuar gjatë vitit 2025

Në veri të Kosovës, rreth 39% e energjisë së konsumuar mbeti e pafaturuar gjatë vitit 2025

Rreth 39 për qind e energjisë elektrike të konsumuar në katër komunat veriore të Kosovës gjatë vitit 2025 nuk u është faturuar konsumatorëve. Sipas të dhënave të ZRRE-së, nga 275.35 GWh të konsumuara, vetëm 168.98 GWh janë faturuar.

Në katër komunat veriore të Kosovës, rreth 106.4 gigavat-orë (GWh) energji elektrike kanë mbetur të pafaturuara gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Nga gjithsej 275.35 GWh energji të konsumuar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, Elektroseveri ka faturuar 168.98 GWh, apo rreth 61.4 për qind të konsumit.

Diferenca prej 106.37 GWh përbën rreth 38.6 për qind të energjisë së konsumuar. ZRRE-ja e klasifikon këtë diferencë si humbje në rrjetin e shpërndarjes, ku përfshihen humbjet teknike dhe ato komerciale.

Në fund të vitit 2025, në katër komunat veriore ishin regjistruar 24,429 konsumatorë aktivë, prej të cilëve 21,718 familjarë dhe 2,711 jofamiljarë, përfshirë ndriçimin publik, përcjell Energy Monitor.

Ndërkohë, problemi nuk kufizohet vetëm te energjia që nuk faturohet. Të dhënat e ZRRE-së për vitin 2024 tregojnë se, nga 13.7 milionë euro vlerë e energjisë së faturuar me TVSH, Elektroseveri kishte inkasuar vetëm rreth 2.6 milionë euro.

Në atë vit, energjia e faturuar në katër komunat veriore kishte arritur në 171.5 GWh.

Përmirësimi i matjes së konsumit është një nga synimet e instalimit të mbi 20 mijë njehsorëve inteligjentë në këtë pjesë të vendit. Projekti prej 3.3 milionë eurosh, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i realizuar në bashkëpunim me KEDS-in dhe Elektroseverin, është përmbyllur në nëntor të këtij viti.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, ka shprehur pritjen se të dhënat për vitin 2026 do të paraqesin një situatë dukshëm më të mirë sa i përket matjes dhe faturimit të energjisë.

Ndërkaq, ZRRE-ja ka përcaktuar në 21.5 për qind nivelin e humbjeve të lejuara për katër komunat veriore, kundrejt 13.3 për qind në pjesën tjetër të Kosovës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com