Home / Lajme / Rajoni / SHBA lejon JANAF të vazhdojë furnizimin me naftë për NIS të Serbisë deri më 31 korrik

SHBA lejon JANAF të vazhdojë furnizimin me naftë për NIS të Serbisë deri më 31 korrik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar një zgjatje të përkohshme që i lejon kompanisë kroate JANAF të vazhdojë furnizimin me naftë për Naftna Industrija Srbije (NIS), kompaninë kryesore të rafinimit të naftës në Serbi, deri më 31 korrik.

Sipas raportimit të SeeNews, vendimi është pjesë e një licence të përkohshme të lëshuar nga Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC), e cila mundëson vazhdimin e transportit të naftës përmes sistemit të JANAF-it, pavarësisht regjimit të sanksioneve ndaj pronarëve rusë të NIS.

NIS është nën presionin e sanksioneve të SHBA-së për shkak të strukturës së pronësisë, ku shumica e aksioneve kontrollohet nga kompani ruse të lidhura me Gazprom Neft dhe Gazprom. Për këtë arsye, aktiviteti i saj dhe furnizimi me naftë janë varur nga vazhdime të njëpasnjëshme të licencave të përkohshme, njofton Energy Monitor.

Me këtë vendim të ri, operimi i rafinerisë në Pançevë dhe furnizimi me naftë nga Kroacia do të mund të vazhdojnë pa ndërprerje deri në fund të korrikut, ndërsa palët përkatëse vazhdojnë negociatat për zgjidhjen afatgjatë të çështjes së pronësisë së kompanisë.

JANAF mbetet rruga kryesore e furnizimit me naftë për Serbinë, duke transportuar pjesën më të madhe të naftës së papërpunuar që hyn në vend.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com