Familjet në Maqedoninë e Veriut mund të përballen me fatura më të larta të energjisë nga 1 janari 2027. MEPSO ka kërkuar gati dyfishimin e tarifës së transmetimit të energjisë elektrike, ndërsa kompanitë e ngrohjes qendrore kanë propozuar rritje prej rreth 7,5 për qind.
Konsumatorët në Maqedoninë e Veriut mund të paguajnë më shumë për energjinë elektrike dhe ngrohjen qendrore nga fillimi i vitit të ardhshëm, nëse miratohen kërkesat për rritjen e tarifave.
Operatori shtetëror i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, MEPSO, ka kërkuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRrE) rritjen e tarifës së transmetimit për vitin 2027 me 97,68 për qind.
Kërkesa parasheh që tarifa të rritet nga 0,3018 në 0,5966 denarë për kilovat-orë, duke filluar nga 1 janari 2027.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton se faturat e konsumatorëve do të dyfishohen, pasi tarifa e transmetimit është vetëm një nga komponentët e çmimit përfundimtar të energjisë elektrike.
Sipas KRrE-së, vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të merret deri në fund të dhjetorit, pasi të shqyrtohen edhe kostot e tjera të kompanive energjetike.
Rritje të çmimeve kanë kërkuar edhe kompanitë e furnizimit me ngrohje qendrore në Shkup.
“EEM Furnizimi” dhe “Shkupi Veri” kanë kërkuar shtrenjtim prej 7,5 për qind për amvisëritë, ndërsa “EEM Energjetika” ka propozuar rritje prej 7,2 për qind. Për konsumatorët juridikë janë propozuar rritje edhe më të larta.
Rritjet e propozuara të ngrohjes lidhen kryesisht me kostot më të larta të gazit natyror, i cili përdoret në prodhimin e energjisë termike.
Eksperti ekonomik Faton Halili ka paralajmëruar se shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe ngrohjes do të ndikonte drejtpërdrejt në koston e jetesës, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe pensionistët.
Vendimet përfundimtare të KRrE-së do të përcaktojnë nivelin e tarifave që do të zbatohen nga fillimi i vitit 2027.



