Home / Lajme / Tjera / KEK-u reagon ndaj raportimeve për incidentet në sektorin energjetik: Përgjegjësitë e operatorëve janë të ndara

KEK-u reagon ndaj raportimeve për incidentet në sektorin energjetik: Përgjegjësitë e operatorëve janë të ndara

KEK-u ka kundërshtuar përdorimin e pamjeve të objekteve të tij në raportimet për zjarrin në autotransformatorin e nënstacionit “Kosova B”, duke thënë se kjo krijon përshtypje të gabuar për përgjegjësinë e Korporatës.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar pas raportimeve për zjarrin që shpërtheu të enjten në mëngjes në autotransformatorin AT2 të nënstacionit “Kosova B”, duke theksuar se infrastruktura ku ndodhi incidenti menaxhohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Përmes një reagimi publik, KEK-u ka kundërshtuar atë që e ka cilësuar si praktikë të disa mediave për t’ia atribuuar Korporatës përgjegjësinë për incidente në sektorin energjetik, edhe kur ato nuk kanë të bëjnë me asetet që menaxhon.

Sipas KEK-ut, shqetësues është veçanërisht përdorimi i pamjeve të objekteve dhe pajisjeve të Korporatës për të ilustruar zjarrin në nënstacionin “Kosova B”, pasi kjo mund të krijojë përshtypjen se incidenti ka ndodhur në asetet e saj, përcjell Energy Monitor.

Korporata ka rikujtuar se përgjegjësitë në sektorin energjetik janë të ndara mes operatorëve. KEK-u merret me prodhimin e energjisë elektrike dhe termike, si dhe prodhimin e qymyrit; KOSTT-i me transmetimin dhe operimin e sistemit të transmetimit; KEDS-i me shpërndarjen dhe mirëmbajtjen e rrjetit, ndërsa KESCO me furnizimin dhe faturimin e konsumatorëve.

“Është e papranueshme që KEK-u të shndërrohet në adresë të përgjegjësisë për çdo defekt, ndërprerje apo incident në sektorin energjetik, edhe në rastet kur ngjarje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me asetet, veprimtarinë apo kompetencat e tij institucionale”, thuhet në reagim.

KEK-u u ka bërë thirrje mediave që gjatë raportimit për incidente të verifikojnë operatorin përgjegjës dhe të përdorin pamje që pasqyrojnë vendin dhe natyrën e saktë të ngjarjes. Në rastet kur përdoren fotografi ose video ilustruese, sipas Korporatës, kjo duhet të bëhet e qartë për publikun.

Ndërkaq, KOSTT-i ka njoftuar se zjarri në autotransformatorin AT2 (400/220 kV) është raportuar në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes. Ekipet teknike kanë dalë në terren për të vlerësuar dëmet dhe rrethanat e incidentit.

Sipas KOSTT-it, avaria nuk ka ndikuar në funksionimin e sistemit elektroenergjetik dhe furnizimi me energji elektrike ka vazhduar pa ndërprerje. Shkaqet e zjarrit dhe dëmet materiale ende nuk janë bërë të ditura.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com