Home / Lajme / Tjera / Pushteti dhe opozita përplasen për importin e rrymës dhe faturat e energjisë

Pushteti dhe opozita përplasen për importin e rrymës dhe faturat e energjisë

Debati për blerjen e energjisë elektrike, tejkalimin e të hyrave të KESCO-s dhe ndikimin e tyre në faturat e qytetarëve ka përplasur deputetët e pushtetit dhe opozitës në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion.

Gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka kërkuar sqarime nëse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) blen energji elektrike, duke iu referuar deklarimeve të përfaqësuesve të pushtetit se KEK-u nuk blen rrymë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, ka reaguar duke thënë se pushteti e ka pranuar se KEK-u blen energji elektrike në një masë të vogël.

Në debat është përfshirë edhe deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, i cili ka kërkuar sqarime nga ZRRE-ja për tejkalimin e planit të importit dhe të hyrave të KESCO-s, që sipas tij kanë arritur deri në 52 milionë euro.

Kërçeli ka kundërshtuar që kostoja e këtij tejkalimi t’u bartet qytetarëve përmes faturave të energjisë elektrike.

“Pse qytetarët duhet të paguajnë 11 euro për një faturë, për shkak të tejkalimit të planit të importit të ZRRE-së, pastaj pse duhet që kjo t’u faturohet qytetarëve. Kur ky është gabim i ZRRE-së, jo i qytetarëve, dhe neve na faturohet çdo muaj në çdo faturë për një planifikim jo të mirë të ZRRE-së dhe jo të qytetarëve”, ka thënë ai.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, ka shpjeguar se tejkalimi i planifikimit të të hyrave të KESCO-s lidhet kryesisht me ndryshimet e çmimeve të importit të energjisë elektrike.

Sipas tij, çmimi i lejuar i importit për vitin 2025 ishte 146 euro për megavat orë, ndërsa çmimi mesatar gjatë tetorit kishte arritur në rreth 240 euro për megavat orë.

Gojani ka thënë se rritja e çmimeve gjatë sezonit të dimrit mund të shkaktojë tejkalime të shpenzimeve të planifikuara.

Në komision është diskutuar edhe mungesa e auditimit në terren të investimeve të KEDS-it dhe KOSTT-it.

Gojani ka pranuar se investimet nuk janë audituar në terren, pasi tenderi për këtë shërbim ishte ndërprerë për shkak të konfliktit të interesit. Ai ka bërë të ditur se ZRRE-ja e ka paraparë sërish auditimin e investimeve për vitin 2027, në kuadër të shpenzimeve operative.

Ndërkaq, sa u përket katër komunave në veri të Kosovës, Gojani ka thënë se humbjet e lejuara të energjisë janë 21.5 për qind, por ndikimi i tyre në përqindjen e përgjithshme të humbjeve në nivel vendi është rreth 0.9 pikë përqindjeje.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com