Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’u përmbahen rregullave dhe zotimeve të tyre sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe.
Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se të dyja palët duhet të veprojnë në përputhje me rregullat ekzistuese, veçanërisht ato që lidhen me tregtimin e energjisë elektrike dhe alokimin e kapaciteteve ndërkufitare.
Megjithatë, Komisioni Evropian veçoi edhe detyrimet e Serbisë, duke theksuar se ajo ende duhet ta adresojë Vendimin 2025/02/MC të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë dhe t’i korrigjojë problemet që lidhen me alokimin e kapaciteteve në kufirin mes zonave të ofertimit të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas BE-së, respektimi i këtyre rregullave është në interes të pjesëmarrësve të tregut, sistemeve energjetike të rajonit dhe konsumatorëve fundorë.
Komisioni tha se do të vazhdojë të lehtësojë bashkëpunimin mes palëve në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Ai rikujtoi gjithashtu se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, mbetet kusht për përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke përfshirë blerjen, shitjen, importin dhe eksportin, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes transitit apo rishitjes.
Kryeministri Albin Kurti e arsyetoi vendimin me moszbatimin nga Serbia të kërkesës së Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë për zhbllokimin e dy linjave të interkoneksionit ndërkufitar me kapacitet 400 kilovoltësh, deri më 1 korrik.
Sipas Kurtit, masa përbën kundërpërgjigje ndaj bllokimit të këtyre linjave nga Serbia, që sipas autoriteteve kosovare ka zgjatur pothuajse shtatë vjet.
Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka bërë publike emrat e kompanive serbe që mund të jenë të përfshira në tregtinë e energjisë elektrike në tregun kosovar.
Ndërkohë, importi i energjisë elektrike vazhdon të përbëjë një shpenzim të konsiderueshëm për Kosovën. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në tetor të vitit 2026, vlera e importit të energjisë arriti në 205 milionë euro.



