Home / Lajme / Rajoni / BE-ja propozon sanksione ndaj një banke dhe tri kompanive nga Serbia, përfshirë dy të sektorit energjetik

BE-ja propozon sanksione ndaj një banke dhe tri kompanive nga Serbia, përfshirë dy të sektorit energjetik

Dy kompani serbe me veprimtari në sektorin energjetik janë përfshirë në propozimin e ri të Komisionit Evropian për sanksione ndaj subjekteve që dyshohet se po e ndihmojnë Rusinë t’u shmanget kufizimeve tregtare të Bashkimit Evropian.

Bëhet fjalë për SIK Inovacije dhe P.E.C.S., të cilat, sipas propozimit të paketës së 22-të të sanksioneve, kanë eksportuar drejt Rusisë mallra me përdorim të dyfishtë, që mund të shërbejnë si për qëllime civile, ashtu edhe për ato ushtarake.

Të dhënat e siguruara nga Radio Evropa e Lirë (REL) konfirmojnë se të dyja kompanitë kanë pasur eksporte drejt Rusisë, por nuk është përcaktuar se çfarë mallrash kanë dërguar. Për këtë arsye, nuk mund të thuhet nëse eksportet kanë përfshirë pajisje për sektorin energjetik.

SIK Inovacije, e themeluar në prill të vitit 2022, është e regjistruar për tregti me shumicë të makinerive dhe pajisjeve. Në ueb-faqen e saj, kompania prezantohet si furnizuese e zgjidhjeve industriale për sektorët e naftës, gazit, industrisë kimike dhe energjisë.

Sipas të dhënave financiare të analizuara nga REL-i, të ardhurat e kompanisë janë rritur nga rreth 70 mijë euro në vitin 2022 në mbi 1.2 milion euro në vitin 2025. Të dhënat doganore tregojnë se, nga themelimi deri në gjysmën e parë të vitit 2025, tregjet kryesore të eksportit kanë qenë Turqia dhe Rusia.

Kompania P.E.C.S., ndërkaq, ka qenë e angazhuar në përfaqësimin, shitjen dhe mbështetjen teknike për prodhuesit në fushën e elektroenergjetikës, telekomunikacionit dhe ujësjellësit.

Sipas të dhënave doganore të siguruara nga REL-i, gjatë viteve 2022 dhe 2023 Rusia ishte destinacioni kryesor i eksporteve të saj. Kompania ndodhet aktualisht në procedurë falimentimi, pas problemeve me likuiditetin, borxhet dhe bllokimin e llogarive bankare.

Propozimi i Komisionit Evropian përfshin edhe një kompani të tretë serbe, GIGANT 2019, si dhe Bankën API. Megjithatë, lidhja e tyre me sektorin energjetik nuk është e drejtpërdrejtë: GIGANT ofron shërbime inxhinierike dhe furnizim me pajisje për qendra të të dhënave, ndërsa banka dyshohet se ka ofruar shërbime financiare që kanë ndihmuar shmangien e sanksioneve.

Përveç masave ndaj kompanive dhe institucioneve financiare, paketa e re propozon edhe kufizime të mëtejshme për bashkëpunimin e kompanive evropiane me sektorin energjetik rus. Sipas propozimit, kompanitë nga BE-ja nuk do të lejoheshin të ndihmonin në ndërtimin, funksionimin apo riparimin e infrastrukturës energjetike të Rusisë, veçanërisht rafinerive. Për herë të parë, ndalimi do të përfshinte edhe shërbimet në sektorin e energjisë elektrike.

Paketa e 22-të e sanksioneve iu dorëzua shteteve anëtare më 25 nëntor. Për miratimin e saj nevojitet pajtimi unanim i të gjitha vendeve të BE-së.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com