Gjermania po përgatitet për legalizimin e ruajtjes nëntokësore të dioksidit të karbonit, një hap i rëndësishëm në strategjinë për të arritur objektivat e saj klimatike.
Sot, qeveria miratoi një projektligj që parashikon krijimin e një rrjeti kombëtar për transportin e CO2-së, me qëllim të lehtësimit të kapjes dhe ruajtjes së karbonit, veçanërisht për sektorët industrialë që janë më të vështirë për t’u transformuar drejt qëndrueshmërisë.
Ky vendim shënon një ndryshim të madh politik, pasi deri tani teknologjitë e kapjes dhe magazinimit të karbonit (CCS) kanë qenë të bllokuara në Gjermani.
Megjithatë, projektligji duhet të miratohet ende nga parlamenti gjerman për t’u bërë ligj.
Ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, e cilësoi këtë si një moment historik për dekarbonizimin e industrisë së vendit. Në të kaluarën, legjislacioni i ngjashëm ishte propozuar nga Robert Habeck, por mosmarrëveshjet politike brenda qeverisë së mëparshme e penguan miratimin e tij.
Ligji parashikon që CO2-ja të kapet në zonat industriale, të transportohet përmes tubacioneve dhe të ruhet nën tokë, kryesisht nën shtratin e detit në zonën ekskluzive ekonomike të Gjermanisë. Ruajtja e karbonit në ujërat bregdetare dhe zonat e mbrojtura do të jetë e ndaluar.
Fokusi kryesor është te sektorët ku emetimet janë të pashmangshme, si prodhimi i çimentos, gëlqeres dhe aluminit, procese që aktualisht nuk mund të zëvendësohen me elektrifikim apo materiale alternative. Megjithatë, ligji përjashton qartë termocentralet me qymyr nga mundësia e ruajtjes së CO2-së me këtë metodë.
Gjithashtu, qeveria synon të lehtësojë ndërtimin e tubacioneve për transportin e CO2-së dhe të lejojë pjesëmarrjen e Gjermanisë në projekte ndërkufitare të magazinimit, përfshirë ato në Norvegji. Ndërsa magazinimi i përhershëm i CO2-së nën tokë nuk do të lejohet në të gjithë territorin e vendit, shtetet federale do të kenë mundësinë ta legalizojnë atë përmes legjislacionit të tyre rajonal.