Në Malishevë u inaugurua ndërtesa shumë-banesore sociale e rinovuar me masa të avancuara të efiçiencës së energjisë, duke ofruar kushte më të mira jetese dhe kursim energjie për 25 familje me gjithsej 115 anëtarë.
Ceremonia e hapjes mblodhi Drejtorin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, Ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Alessandro Bianciardi, si dhe Kryetarin e Komunës së Malishevës, Ekrem Mustafa.
Projekti u realizua me një investim prej rreth 192 mijë euro, të financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe me një kontribut prej 10 për qind nga Komuna e Malishevës. Investimi synon të rrisë efiçiencën energjetike dhe të ulë kostot e energjisë për familjet përfituese.
Malisheva është një nga 13 komunat pjesë e projektit prej mbi 6 milionë euro, i cili zbatohet nga FKEE në 28 ndërtesa shumë-banesore sociale, me qëllim ndërtimin e një sistemi energjetik më të drejtë dhe gjithëpërfshirës në Kosovë.