Home / Lajme / Kosova / Termokos-i fillon sezonin ngrohës, 8 ditë para afatit të zakonshëm

Termokos-i fillon sezonin ngrohës, 8 ditë para afatit të zakonshëm

NP “Termokos” SH.A., pasi ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme, në koordinim të ngushtë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka filluar të marrë energji termike për nisjen e sezonit ngrohës 2025/2026.

Kjo shënon herën e parë në historinë e ndërmarrjes që sezoni ngrohës fillon tetë ditë para afatit të zakonshëm, si reagim i menjëhershëm ndaj përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret në fuqi, përkatësisht me rregulloren e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për furnizim me energji termike.

NP “Termokos” dhe KEK-u po hyjnë në sezonin e dhjetë të bashkëpunimit të suksesshëm, përmes të cilit sigurohet furnizim i qëndrueshëm dhe cilësor për mbi 25 mijë konsumatorë në kryeqytet.

Duke marrë parasysh se sistemi i ngrohjes është kompleks dhe delikat, procesi i fillimit të operimit po zhvillohet me kujdes të shtuar, përmes rritjes graduale të kapacitetit të pranimit dhe shpërndarjes së energjisë termike.

NP “Termokos” kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve të saj, pasi mund të nevojiten disa orë derisa ngrohja të arrijë në radiatorët e tyre.