Përplasja për kompaninë strategjike të naftës ndez konfliktin mes ministrave në Beograd, ndërsa Uashingtoni rrit presionin për t’i prerë Beogradit lidhjet me Moskën në sektorin energjetik.
Mbledhje urgjente e qeverisë në Beograd pas kërkesës amerikane për ndryshimin e pronësisë së kompanisë së naftës. Ministrja e Energjisë paralajmëron dorëheqje, ndërsa Vuçiç flet për krizë të mundshme kombëtare.
Qeveria e Serbisë zhvilloi një mbledhje urgjente këtë të shtunë, pas rritjes së presionit amerikan për ndryshimin e strukturës së pronësisë së kompanisë shtetërore të energjisë NIS a.d., ku aksioneri kryesor vijon të jetë kompania ruse Gazprom Neft. Kjo ndërhyrje e drejtpërdrejtë nga ana e Shteteve të Bashkuara i ka vënë institucionet serbe përballë një krize serioze politike dhe energjetike.
Ministrja e Energjisë, Dubravka Đedović Handanović, deklaroi se “ka marrë një mesazh të qartë nga SHBA” dhe se Serbia duhet të marrë “vendime të vështira”, duke nënkuptuar shkëputjen nga kontrolli rus në sektorin strategjik të energjisë.
Ajo shprehu gatishmërinë për të dhënë dorëheqje nëse qeveria nuk ndërmerr hapa konkretë për të nxjerrë aksionerët rusë nga bordi drejtues i NIS.
Sipas saj, nuk është më e qëndrueshme të drejtojë një ministri energjetike nën sanksione të drejtpërdrejta nga Perëndimi.



