Home / Lajme / Tjera / KESCO nis fushatë për kursimin e energjisë për shkak të konsumit rekord

KESCO nis fushatë për kursimin e energjisë për shkak të konsumit rekord

KESCO ka nisur një fushatë informuese për kursimin e energjisë elektrike, duke u bërë thirrje konsumatorëve që të adoptojnë zakone të vogla kursimi, në një periudhë kur sistemi energjetik po përballet me ngarkesa jashtëzakonisht të larta dhe konsum të paprecedentë.

Sipas KESCO-s, kompania është në komunikim të vazhdueshëm me operatorët teknikë të transmisionit dhe të rrjetit të shpërndarjes, me qëllim mbajtjen e konsumatorëve të informuar dhe garantimin e stabilitetit të furnizimit. Kërkesa e lartë për energji elektrike, e kombinuar me nevojën për importe të konsiderueshme, ka rritur presionin mbi sistemin energjetik.

Në këtë kuadër, KESCO u bën thirrje qytetarëve që, veçanërisht gjatë orëve të pikut (09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00), të shmangin përdorimin e njëkohshëm të pajisjeve me konsum të lartë.

Si pjesë e fushatës, KESCO ka publikuar edhe disa rekomandime praktike për kursim:

  • Ngrohja (kaldajë/radiatorë) të mbahet stabile në 20–21°C, ndërsa të reduktohet ose të ndalet në hapësirat që nuk përdoren.
  • Kondicionerët inverter të vendosen në 20–21°C, të mbahen stabile pa ndezje dhe fikje të shpeshta, dhe të përdoren me kujdes gjatë orëve të pikut.
  • Bojlerët të ndizen kryesisht gjatë natës dhe jashtë orëve të pikut.
  • Furrat elektrike të shmangen për përdorime të vogla dhe të përdoren, kur është e mundur, jashtë orëve të pikut.
  • Lavatriçet, enëlarëset dhe tharëset të përdoren vetëm kur janë plot, me programe “ECO”, preferueshëm jashtë orëve të pikut.
  • Pajisjet në gjendje “standby” (televizorë, dekoderë, konzola, karikues) të fiken kur nuk përdoren.

KESCO thekson se me pak kujdes nga secili konsumator, mund të kontribuohet në uljen e ngarkesës së sistemit dhe në ruajtjen e një furnizimi të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjithë.