Home / Lajme / Rajoni / SHBA i jep leje të përkohshme NIS-it, rifillon furnizimi me naftë përmes JANAF-it deri më 23 janar

SHBA i jep leje të përkohshme NIS-it, rifillon furnizimi me naftë përmes JANAF-it deri më 23 janar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë një leje të përkohshme operimi kompanisë serbe Industria e Naftës së Serbisë (NIS), duke i mundësuar asaj të vazhdojë aktivitetin deri më 23 janar. Vendimi hap rrugën edhe për rifillimin e furnizimit me naftë të papërpunuar përmes tubacionit kroat JANAF, i cili është burimi kryesor i furnizimit të rafinerisë së Pançevës.

Leja është dhënë nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) pranë Departamentit Amerikan të Thesarit dhe ka karakter të përkohshëm. Ajo vjen pas vendosjes së sanksioneve ndaj NIS-it për shkak të pronësisë së tij të lidhur me kompani ruse, çka kishte detyruar ndaljen e punës së rafinerisë në fillim të dhjetorit dhe kishte ngritur shqetësime serioze për furnizimin me produkte të naftës në Serbi.

Me këtë vendim, NIS lejohet të rifillojë përpunimin e naftës së papërpunuar dhe të importojë lëndë të parë përmes JANAF-it deri në skadimin e afatit. Edhe operatori kroat i tubacionit ka konfirmuar se është i gatshëm të sigurojë transportin dhe furnizimin e pandërprerë të rafinerisë së Pançevës gjatë kësaj periudhe.

Autoritetet amerikane kanë shtyrë gjithashtu afatin për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë lidhur me strukturën e pronësisë së NIS-it, duke lënë kohë deri në fund të marsit për arritjen e një marrëveshjeje që do të përfshinte largimin e kapitalit rus nga kompania. Ky kusht konsiderohet kyç për heqjen e plotë të sanksioneve në të ardhmen.

Rafineria e Pançevës mbulon pjesën dërrmuese të konsumit të produkteve të naftës në Serbi, ndërsa NIS operon edhe rrjetin më të madh të pikave të karburantit në vend dhe ka prani në disa tregje të rajonit. Për këtë arsye, rifillimi i operacioneve shihet si i rëndësishëm jo vetëm për stabilitetin e tregut serb, por edhe për furnizimin rajonal me produkte të naftës.