Home / Lajme / Kosova / Reduktimet, Ymeri: KEDS nuk ka porositur rrymë më kohë, rrjeti energjetik është në prag të kolapsit total

Reduktimet, Ymeri: KEDS nuk ka porositur rrymë më kohë, rrjeti energjetik është në prag të kolapsit total

Edhe sot ka reduktime të energjisë elektrike në Kosovë. Për këtë ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri.

Ymeri përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka ngritur shqetësime për menaxhimin e sektorit energetik në Kosovë. Ajo pretendon se vendi ësht në prag të kolapsit total.

“Pse po ndalet rryma dhe çfarë po ndodh?Komunikata e KOSTT-it thotë se KEDS-i ka porositur/rezervuar rreth 26% më pak rrymë sesa na nevojitet.Pra figurativisht, sikurse në Doganë mos me tregu sa duhet me importu (KEDS). Për shkak se KEDS nuk e ka porositur/rezervuar rrymën me kohe, rrjeti energjetik eshte ne prag te kollapsit total. Për ta shpëtuar sistemin nga kolapsi total, KOSTT detyrohet të urdhërojë ndërprerje (reduktime) të rrymës”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, Vetëm pak ditë pasi institucionet energjetike njoftuan për stabilizim të furnizimit me energji elektrike, reduktimet janë rikthyer sërish në disa zona të vendit. Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut, KOSTT, ka paralajmëruar se është detyruar të kërkojë kufizim të ngarkesës si masë e fundit për të mbrojtur stabilitetin e sistemit elektroenergjetik.

Sipas KOSTT-it, arsyeja kryesore e kësaj situate janë nominimet e pamjaftueshme të energjisë nga ana e furnizuesit, KESCO, të cilat nuk kanë reflektuar kërkesën reale të konsumit. Vetëm gjatë ditës së sotme, KESCO ka nominuar rreth 26.17 për qind më pak energji sesa kërkesa reale, duke krijuar jo-balanca mesatare prej rreth 211 MW-orë, ndërsa në disa orë këto devijime kanë kaluar edhe mbi 260 MW-orë.

Gjithashtu, në një njoftim publik kompania e furnizimit me energji elektrike, KESCO, ka bërë të ditur se kushtet aktuale dimërore po e vështirësojnë mbulimin e plotë të kërkesës, veçanërisht në periudhat kur prodhimi vendor nuk mjafton. Në këto rrethana, importi i energjisë mbetet i domosdoshëm, por edhe i kufizuar, për shkak të kushteve teknike të sistemit rajonal në të cilin operon Kosova.

Ymeri ka treguar se ZRRE-ja (Rregullatori) nuk ka bërë plan dhe ka lejuar këtë rrëmujë ku secili vepron kokë më vete.

“Me këto devijime, edhe fajsime e shfajsime nga njëri tek tjetri akter i sektorit të energjisë në Kosovë, rrjeti energjetik I Kosovës rrezikon të dënohet dhe potencialisht kthehet prapa nën menaxhimin e Serbisë (siç ishte para 2021). Rryma që po harxhohet tani (siç është importi emergjent i KOSTT-it) por edhe në përgjithësi në treg ditor, është shumë e shtrenjtë. Kjo kosto do të na kthehet neve përmes ndarjeve emergjente bugjetore për KOSTT-in qe janë te paevitueshme dhe shtrenjtimit të madh të faturave në të ardhmen e afërt”, ka shkruar Ymeri.