Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar themelimin e një komisioni të posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë, në mes të debatit publik për saktësinë e matjes së energjisë elektrike.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë më 31 mars 2026, në kuadër të përgjegjësive të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Qëllimi i këtij komisioni është garantimi i transparencës, korrektësisë dhe mbrojtja e interesave të qytetarëve.
MINTI ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka pranuar ankesa nga konsumatorët lidhur me dyshime për keqllogaritje të njehsorëve. Megjithatë, nga data 1 prill, komisioni do të dalë në terren për të verifikuar njehsorët e çdo konsumatori që paraqet ankesë.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që, për çdo dyshim lidhur me funksionimin e njehsorëve në objektet e tyre, të kontaktojnë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes numrit pa pagesë 0800 11000 ose përmes emailit zyrtar.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur çështja e njehsorëve elektrikë dhe saktësia e faturimit ka nxitur debat të gjerë publik dhe reagime politike, duke shtuar kërkesat për transparencë dhe verifikim të pavarur.
MINTI ka theksuar se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe për sigurimin e një tregu të drejtë dhe transparent.



