Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar në seancën plenare të Kuvendit lidhur me pretendimet për lidhje të mundshme mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kompanive që tregtojnë energji elektrike.
Ajo i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pabaza dhe pa asnjë mbështetje faktike.
“ Nuk ka asnjë lidhje në mes kompanive që kanë tregtuar energji gjatë viteve të fundit dhe zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje apo të qeverisë. Këto janë komplet të pabaza”, deklaroi Rizvanolli.
Duke iu referuar rastit të ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ajo sqaroi se akuzat ndaj tij nuk lidhen me vjedhje të parave.
Sipas saj, dëmi i pretenduar nga Prokuroria ka të bëjë me fitime të humbura në kuadër të një kontrate, e jo me përfitim të drejtpërdrejtë financiar.
“Krasniqi nuk është i akuzuar se ka vjedhur para. Dëmi që pretendohet lidhet me fitime të humbura, jo me vjedhje”, theksoi ajo, duke shtuar se çështja është në proces gjyqësor dhe vendimmarrja i takon organeve të drejtësisë.
Rizvanolli gjithashtu iu drejtua opozitës me një pyetje lidhur me një kompani që ka tregtuar energji në vitet e fundit, duke ngritur dyshime për arsyen pse kjo temë, sipas saj, është lënë në heshtje muajt e fundit.
“Çka ndodhi që e ndalët këtë temë para disa muajve? A ka ndodhë ndonjë tender i ri dhe e ka fituar këtë kontratë dikush tjetër tash?”, u shpreh ajo.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur çështjet e tregut të energjisë dhe menaxhimit të sektorit vazhdojnë të jenë në fokus të debatit politik në vend.



