Home / Lajme / Tjera / UBT pjesë e konferencës së AWESK mbi rolin e grave në sektorin e energjisë

UBT pjesë e konferencës së AWESK mbi rolin e grave në sektorin e energjisë

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT, Prof. Dr. Armend Ymeri, ka marrë pjesë si panelist në konferencën e organizuar nga Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë (AWESK), me temë: “Gratë që Formësojnë Tranzicionin Energjetik të Kosovës: Nga Vizioni në Lidership dhe Transformim Sektori”.

Në këtë ngjarje të rëndësishme për sektorin energjetik në vend, Prof. Dr. Ymeri prezantoi perspektivën e UBT-së lidhur me përfshirjen dhe fuqizimin e vajzave në studimet e Inxhinierisë së Energjisë, duke theksuar se vitet e fundit është vërejtur një trend pozitiv i rritjes së interesimit të vajzave për këtë fushë, si në nivelin bachelor (BSc), ashtu edhe në master (MSc).

Ai theksoi se UBT beson fuqishëm se ndryshimi fillon nga edukimi, duke ndërtuar programe studimi të përshtatura me zhvillimet më të fundit në sektorin energjetik. Në këtë drejtim, kurrikulat në Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë janë të bazuara në realitetin e ri energjetik dhe përfshijnë fusha kyçe si prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme (era, dielli, uji, biomasa), tranzicioni energjetik, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit, si dhe digjitalizimi, inteligjenca artificiale, rrjetat e mençura dhe mikrogridet.

Sipas tij, kjo qasje i bën studimet më gjithëpërfshirëse dhe më tërheqëse për një diversitet më të madh studentësh, duke krijuar mundësi reale për përfshirjen e vajzave në këtë sektor strategjik.

Prof. Dr. Ymeri gjithashtu theksoi rëndësinë e metodave bashkëkohore të mësimdhënies që aplikohen në UBT, duke kaluar nga modeli tradicional “lecture-based” në qasje të bazuara në zgjidhjen e problemeve. Përmes metodave si active learning dhe project-based learning, studentet angazhohen më shumë në punë ekipore dhe projekte praktike, çka ndikon drejtpërdrejt në rritjen e besimit të tyre në aftësitë teknike.

Një element tjetër i rëndësishëm është mentorimi i strukturuar, ku çdo studente në lëndët praktike përfiton nga mbështetja e dyfishtë, nga një mentor akademik dhe një mentor nga industria. Kjo qasje ndihmon në lidhjen e drejtpërdrejtë të studimeve me tregun e punës dhe zhvillimin profesional.

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe profesionale, Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë organizon konferenca të rregullta si IC EEE, akademi verore dhe evente të tjera, ku përmes ligjëratave tematike u jepet hapësirë grave eksperte dhe alumneve të suksesshme për të ndarë përvojat e tyre me studentët.

Gjithashtu, UBT ka ndërtuar partneritete të forta me institucione dhe kompani të rëndësishme të sektorit energjetik si KEK, KOSTT, KEDS, ZRrE, si dhe kompani të energjisë së ripërtëritshme, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me organizata si AWESK. Këto marrëveshje mundësojnë zhvillimin e praktikave profesionale të strukturuara dhe krijojnë mundësi konkrete punësimi për studentet, veçanërisht në role teknike.

Në përmbyllje të diskutimit, Prof. Dr. Ymeri theksoi se rritja e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë nuk është vetëm një çështje e barazisë gjinore, por një domosdoshmëri strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë rikonfirmon angazhimin e institucionit për të kontribuar në zhvillimin e sektorit energjetik dhe në fuqizimin e rolit të grave në këtë fushë kyçe për të ardhmen e vendit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com