Pas rritjes së fundit, çmimi i naftës në Kosovë ka shkuar nga 1.82 euro për litër dje në 2.03 euro për litër sot.
Kjo ngritje e shpejtë ndikon drejtpërdrejt në qytetarë dhe biznese, duke rritur kostot e jetesës dhe operimit. Autoritetet po monitorojnë situatën dhe kërkojnë furnizime të qëndrueshme në treg.
Ndryshe, kabineti i kryeministrit Albin Kurti i ka kaluar të premten projektligjin për çmimet tavan, që duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim para se të bëhen ligje.
Projektligji për çmimet tavan, i njohur si projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, vjen po ashtu në një kohë kur rritja e madhe e çmimit të karburanteve në vend ka nxitur frikën për rritje zinxhir të çmimeve, sidomos atyre bazike.
Vetëm brenda pak javësh, çmimi i një litri naftë në pikat e karburanteve në Kosovë ka arritur deri në 2.03 euro, krahasuar me 1.33 euro sa ishte më 3 mars, tri ditë pas nisjes së sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.



