Numri i konsumatorëve që po prodhojnë vetë energjinë elektrike për nevojat e tyre në Shqipëri ka vijuar të rritet gjatë vitit 2025. Të dhënat e publikuara në raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) tregojnë se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes atje ka miratuar gjatë këtij viti 1,135 aplikime për statusin e vetëprodhuesit, nga 1,261 kërkesa të paraqitura gjithsej.
Sipas ERE, ky numër përfaqëson një rritje prej 27.96% krahasuar me vitin 2024, duke e çuar në 3,551 numrin total të konsumatorëve që kanë marrë statusin e vetëprodhuesit në vend.
Ligji “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” u jep mundësi konsumatorëve të prodhojnë energjinë që u nevojitet për përdorim personal, kryesisht nga burime diellore dhe era, me synim uljen e kostove të faturës mujore dhe rritjen e pavarësisë energjetike. Sipas kuadrit rregullator në fuqi, konsumatorët që marrin këtë status mund të instalojnë kapacitete deri në 500 kW për të mbuluar nevojat e tyre, ndërsa energjia e tepërt mund të injektohet në rrjetin e shpërndarjes.
Të dhënat tregojnë se pjesën më të madhe të vetëprodhuesve e përbëjnë subjektet private, me rreth 67% të totalit, ndërsa 31% janë konsumatorë familjarë. Vetëm rreth 2% i përkasin kategorisë buxhetore dhe jobuxhetore.
Sipas shpërndarjes sipas kategorive, deri në fund të vitit 2025 rezultojnë 2,377 vetëprodhues jofamiljarë, 1,089 familjarë, 69 institucione publike, si bashki, ministri apo institucione arsimore, si dhe 16 institucione jobuxhetore, mes tyre ujësjellës, poliklinika dhe qendra shëndetësore.
/SCAN



