Home / Lajme / Tjera / Rekord global për energjinë e erës: 165 GW kapacitet i ri në 2025, por objektivat kërkojnë dyfishim të ritmit

Rekord global për energjinë e erës: 165 GW kapacitet i ri në 2025, por objektivat kërkojnë dyfishim të ritmit

Industria globale e energjisë së erës instaloi një rekord prej 165 gigavatësh kapacitet të ri gjatë vitit të kaluar, rreth 40% më shumë krahasuar me vitin 2024, kryesisht e nxitur nga Kina, sipas një raporti të Global Wind Energy Council.

Burimet e ripërtëritshme përbënin pothuajse gjysmën e kapacitetit total të prodhimit të energjisë elektrike në botë vitin e kaluar. Ndërkohë, gjatë këtij viti, çmimet e naftës dhe gazit janë rritur ndjeshëm për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke shtyrë vendet të kërkojnë alternativa për të përmbushur kërkesën në rritje për energji.

Rritja e kapaciteteve të reja nga era u nxit kryesisht nga projektet tokësore (onshore), të cilat u rritën me 42%, duke arritur në 155.3 GW. Ndërkohë, energjia e erës në det të hapur (offshore) u rrit me 18%, duke arritur në 9 GW.

Azia, e udhëhequr nga Kina dhe India, dominoi tregun global duke instaluar 131 GW kapacitet të ri, ose rreth 80% të totalit botëror. Vetëm Kina shtoi një rekord prej 120.5 GW kapacitet të ri nga era. Evropa renditet e dyta, me 19 GW kapacitet të ri të instaluar.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht retorikës politike kundër energjisë së erës nga administrata aktuale, u shtuan afro 7 GW kapacitet i ri onshore gjatë vitit të kaluar. Si rezultat, kapaciteti kumulativ global i energjisë së erës arriti në gati 1.3 teravat.

Për të arritur objektivin global për trefishimin e kapacitetit të energjisë së ripërtëritshme deri në fund të dekadës, International Renewable Energy Agency vlerëson se duhet të instalohen rreth 320 GW kapacitet i ri i energjisë së erës çdo vit.

Kjo nënkupton se ritmi aktual i instalimeve duhet të dyfishohet. Megjithatë, bazuar në politikat ekzistuese, parashikohet që deri në vitin 2030 të shtohen gjithsej 969 GW kapacitet i ri global, ose mesatarisht 194 GW në vit.

Sipas të gjithë skenarëve që janë në përputhje me objektivin për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5°C, energjia e erës duhet të përjetojë një zgjerim edhe më të madh në nivel global gjatë viteve të ardhshme, thekson raporti.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com