Home / Highlights / KEK-u rikthen në operim njësinë B2 të Kosova B, rifillon furnizimi me ngrohje për Termokosin

KEK-u rikthen në operim njësinë B2 të Kosova B, rifillon furnizimi me ngrohje për Termokosin

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka rikthyer në operim njësinë B2 të termocentralit Kosova B, pas përfundimit të sanimeve dhe testimeve të nevojshme. Me rifillimin e prodhimit të energjisë elektrike, njësia ka nisur sërish edhe furnizimin me energji termike për Termokosin, për ngrohjen e kryeqytetit.

Sipas njoftimit të KEK-ut, procesi i startimit të njësisë filloi më 26 tetor, në orën 02:00. Pas verifikimeve të pajisjeve dhe sistemeve teknologjike, njësia rifilloi prodhimin gjatë orëve të mëngjesit.

KEK-u bëri të ditur se rikthimi u realizua pas mobilizimit të ekipeve teknike dhe përfundimit të punimeve për sanimin e defektit. Korporata falënderoi inxhinierët, specialistët dhe punonjësit e termocentralit për angazhimin në riparimin dhe rikthimin e njësisë në funksion, përcjell Energy Monitor.

Dalja nga operimi e njësisë B2 kishte ndërprerë furnizimin me energji termike për Termokosin, duke rrezikuar vazhdimësinë e ngrohjes qendrore në Prishtinë. Rikthimi i saj mundëson rifillimin e furnizimit, ndërsa funksionimi i qëndrueshëm i njësive të termocentraleve mbetet i rëndësishëm për sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe termike gjatë sezonit të ngrohjes.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com