Ligjvënësit në Kosovë janë duke debatuar për gjendjen në sektorin e energjisë në vend, në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga 42 deputetë të martën, mes shqetësimeve për çmimin e lartë të rrymës, mungesën e prodhimit dhe dyshimeve për manipulime me faturim.
Deputetë opozitarë e akuzuan Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për, siç thanë, gjendjen e rënduar në sektorin e energjisë, akuza që u hodhën poshtë nga ministrat e Kurtit.
Deputeti Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë, e paraqiti çështjen para ligjvënësve, duke thënë se “qytetarët po paguajnë taksë jomeritore dhe sektori i energjisë është në situatë jashtëzakonisht të rënduar”.
“Që gjashtë vjet, Qeveria e ka menaxhuar këtë sektor me të njëjtën logjikë, me të njëjtën politikë qeverisëse, e cila është treguar, dhe shifrat tregojnë tashmë që është e dështuar”, theksoi Shala, duke përmendur që shteti nuk ka rritje të kapaciteteve prodhuese që plotësojnë kërkesat për rrymë.
KEK – korporata shtetërore dhe prodhuesi mbizotërues i rrymës në vend – mund t’i prodhojë deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e vendit, në një ditë dimri, për shembull, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.
Prandaj, vendi detyrohet të importojë rrymë nga jashtë për t’i mbuluar nevojat e konsumatorëve.
Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vendi kishte importuar rrymë në vlerë të rreth 248 milionë eurove në periudhën janar-nëntor 2025, ndërsa kishte eksportuar në vlerë të rreth 48 milionë eurove.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se prodhimi i rrymës në vend do të jetë më i lartë vitin e ardhshëm, për shkak të investimeve në dy termocentralet e vjetruara, Kosova A dhe Kosova B.
Konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.
Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë. Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat.
Derisa ka pasur vazhdimisht rritje të çmimit të tarifave në vitet paraprake, rregullatori i energjisë, ZRRE, ka propozuar që të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për këtë vit.
Rizvanolli tha se çmimi i energjisë elektrike mbetet më i ulëti në rajon dhe e akuzoi opozitën për “shpifje”.
“Ndër gënjeshtrat më të mëdha që është thënë këto vite e këta muaj, se importi ka qenë 250 euro vitin e kaluar. Ju e keni lexuar shifrën por jo edhe fusnotën, e cila tregon që aty përfshihet edhe energjia që kalon tranzit nëpër Kosovë. Këtë gënjeshtër e thoni vazhdimisht”, tha ajo.
Sipas saj, 176 milionë euro ishte importi në vitin 2025.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, tha se qytetarët po e bartin barrën e rritjes së çmimit të rrymës për shkak të “keqmenaxhimit nga Qeveria”.
“[Faji] ka qenë të keqmenaxhimi i komplet sektorin elektroenergjetik, duke filluar nga prodhimi e deri të inkriminimi i ZRRE-së. Thuhet se ZRRE-ja i përgjigjet Kuvendit, por ajo nuk më përgjigjet mua në pyetjen më të thjesht për mafinë energjetike. Ky pushtet e ka gllabëruar plotësisht sektorin e energjisë elektrike”, tha Ymeri.
“Si mund të jetë ky sektor i pavarur kur në zyrën ku bëhet edhe tregtia e energjisë elektrik, aty ku është edhe bilanci, është edhe vetë vëllai i kryeministrit [Albin Kurti]”, tha ajo duke iu referuar Taulant Kurtit.
Taulant Kurti është specialist për çështje ekonomike në Drejtorinë e Operimeve në KEK dhe, sipas korporatës, ai ka qenë pjesë e KEK-ut që nga viti 2007.
Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në opozitë, e akuzoi kryeministrin Albin Kurti dhe, siç tha, “rrethin e afërm të tij” për anulim të projektit të termocentralit “Kosova e re”.
“Serbia nuk ka krijuar fitore më të madhe ndaj Kosovës, pas ‘99-ës sesa këtë dështim të termocentralit të ri 500 megavat dhe pastaj dorëzimit të Kosovës te Serbia”, tha Haradinaj.
Haradinaj shtoi se “mafia energjetike e Ballkanit që dominohet nga serbët dhe bashkë me njerëzit e afërt të Kurtit dhe Dajona Mihalit krijojnë kompani çdo dy javë”, duke iu referuar koordinatores së komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Në këto kompani është një i afërt i Kurtit, i Dejonës. Janë kujdesur të kontrollojnë të gjitha institucionet në energji”, ka thënë ai duke shtuar se edhe në KEK e ZRRE “vetëm Kurti e Dejona vendosin se kush emërohet aty”.
Haradinaj nuk dha prova për t’i mbështetur pretendimet e tij, ndërsa partia në pushtet i ka hedhur poshtë edhe në të kaluarën pretendimet e Haradinajt.
Kosova e kishte nënshkruar një marrëveshje komerciale me kompaninë amerikane Contour Global, për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, një projekt në vlerë 1.3 miliard euro që parashihej të hynte në punë më 2023.
Projekti u kundërshtua nga shoqëria civile në Kosovë dhe zëra ndërkombëtarë për shkaqe mjedisore.
Më 2020, Contour Global u tërhoq nga projekti, duke përmendur se nuk synonte më projekte me thëngjill, si dhe për shkak të ndryshimit të udhëheqjes në Kosovë. Në pushtet, atë kohë, ishin Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kishin shprehur shqetësime për mundësinë e shtrenjtimit të çmimit të energjisë.
Çështja e njehsorëve të rrymës
Debati vjen gjithashtu në një kohë kur autoritetet kanë gjetur se Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), ka njehsorë elektrikë me afat të skaduar.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), e gjobiti javën e kaluar KEDS-in me 30.000 euro për gjashtë njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se “po bëhen vjedhje klasike në blloktarifa” prej se Qeveria Kurti i vendosi ato.
KEDS – shpërndarësi i vetëm i rrymës në vend – është urdhëruar nga MINTI t’i dëmshpërblejë konsumatorët e dëmtuar.
Shpërndarësi i rrymës i ka mohuar shkeljet, duke thënë se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim.
Ai ka thënë se nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë. Por, kompania tha se, në rast të gjetjes së pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”.
Ndërkohë, në fillim të prillit, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të shpërndarësit të rrymës.
/evropaelire.org



