Home / Lajme / Rrjeti elektrik / KEDS avancon modernizimin e rrjetit elektrik, instalon rikyçës automatik në disa zona të Kosovës

KEDS avancon modernizimin e rrjetit elektrik, instalon rikyçës automatik në disa zona të Kosovës

KEDS ka njoftuar se ka avancuar më tej procesin e modernizimit të rrjetit elektrik përmes instalimit të Rikyçësve Automatikë (Autorecloser) në disa pika kyçe të sistemit të shpërndarjes në Kosovë.

Sipas kompanisë, pajisjet e reja janë vendosur në lokacione si Dobrushë, Zallq, Denj, Budakovë, Ponoshec dhe Hoqë e Qytetit (Zhur), me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë së rrjetit dhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.

Kjo teknologji mundëson identifikim më të shpejtë të prishjeve në rrjet dhe rikthim më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike, duke reduktuar ndjeshëm kohëzgjatjen e ndërprerjeve dhe duke përmirësuar reagimin operativ të ekipeve në terren, përcjell Energy Monitor.

Pajisjet e instaluara janë të integruara në Qendrën e Kontrollit të KEDS, duke mundësuar monitorim dhe menaxhim në distancë të rrjetit, si dhe orientim më efikas të ekipeve intervenuese.

Nga ky projekt pritet të përfitojnë rreth 10,355 konsumatorë, ndërsa KEDS ka bërë të ditur se instalimi i kësaj teknologjie do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të rrjetit në periudhën në vijim.

KEDS thekson se mbetet e përkushtuar ndaj inovacionit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së furnizimit me energji elektrike për konsumatorët në të gjithë vendin.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com