Home / Lajme / Kosova / “Smart Energy Advisor” fiton Green Challenge 2026 – ideja që lidh inovacionin me efiçiencën energjetike në amvisëri

“Smart Energy Advisor” fiton Green Challenge 2026 – ideja që lidh inovacionin me efiçiencën energjetike në amvisëri

Balkan Green Foundation ka përmbyllur edicionin e dytë të Green Challenge Competition, një iniciativë që synon të mbështesë ide të hershme që lidhin qëndrueshmërinë mjedisore me sipërmarrjen dhe vlerën ekonomike lokale. Në kuadër të kësaj thirrjeje, pesë koncepte inovative u prezantuan nga ekipe të ndryshme, duke adresuar tema nga ekonomia qarkore deri te efikasiteti energjetik dhe financa e gjelbër.

Projektet e këtij edicioni përfshinin ide si transformimi i mbetjeve të kafesë në input bujqësor, ripërdorimi i veshjeve përmes modës së ricikluar, platforma që lidh diasporën me SME-të e gjelbra, si dhe zgjidhje për serra modulare nga materiale të ricikluara, njofton Energy Monitor.

Të gjitha idetë u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga ekspertë të fushës së qëndrueshmërisë dhe zhvillimit.

Megjithatë, vëmendja kryesore e këtij viti shkoi te “Smart Energy Advisor”, i shpallur fitues i Green Challenge Competition 2026.

Në një kontekst ku kostot e energjisë po rriten, ndërsa ndërgjegjësimi i konsumatorëve mbetet i kufizuar, ky projekt u veçua për qasjen e tij praktike. Zgjidhja ofron mënyra të personalizuara për të ndihmuar familjet të kuptojnë më mirë konsumin e tyre të energjisë dhe të identifikojnë mundësi konkrete për kursim, përcjell Energy Monitor.

Përmes këshillave të thjeshta dhe të qasshme, “Smart Energy Advisor” synon të lidhë ndërgjegjësimin me veprimin, duke ndihmuar në uljen e konsumit dhe kostove të energjisë.

Sipas organizatorëve, ky fitues reflekton edhe një herë potencialin e zgjidhjeve të thjeshta por mirë të dizajnuara për të prodhuar ndikim real në tranzicionin energjetik dhe në sjelljen e konsumatorëve.

Edicioni i këtij viti u organizua në kuadër të mbështetjes për tranzicionin energjetik dhe zbutjen e ndikimeve klimatike në Kosovë, me financim nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe zbatim nga LuxDev – Agjencia Luksemburgase për Bashkëpunim Zhvillimor.

Green Challenge Competition vazhdon të pozicionohet si një platformë e rëndësishme për nxitjen e ideve që lidhen me ekonominë e gjelbër dhe transformimin e sektorit energjetik në Kosovë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com