Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka arritur një sukses të rëndësishëm duke u certifikuar me standardin ndërkombëtar ISO 9001:2015 për Menaxhimin e Cilësisë, një hap që vlerësohet si avancim i rëndësishëm drejt modernizimit institucional dhe operativ.
Certifikimi konfirmon përkushtimin e KEK-ut për përmirësim të vazhdueshëm, efikasitet më të lartë dhe zbatim të proceseve të standardizuara në përputhje me praktikat ndërkombëtare.
Sipas njoftimit, procesi i certifikimit ka përfshirë një auditim të jashtëm të suksesshëm, si dhe vlerësimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë që janë përmirësuar dhe avancuar në kuadër të operimeve të korporatës, transmeton Energy Monitor.
ISO 9001:2015 është një nga standardet më të përdorura globale për menaxhimin e cilësisë dhe fokusohet në rritjen e efikasitetit organizativ, përmirësimin e proceseve dhe rritjen e kënaqësisë së palëve të interesit.
KEK thekson se ky certifikim nuk përfaqëson vetëm një arritje formale, por një hap drejt transformimit të mëtejshëm në një korporatë më moderne, më të besueshme dhe më të harmonizuar me standardet ndërkombëtare të industrisë energjetike.
Procesi i përmirësimit të sistemeve të menaxhimit dhe standardizimit pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, me synim forcimin e performancës operacionale dhe ngritjen e mëtejshme të standardeve të punës.




