Vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të përshpejtojë përjashtimin e energjisë elektrike nga Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufij (CBAM), duke paralajmëruar pasoja të mundshme për tregjet rajonale të energjisë nëse zbatimi nuk përshtatet me realitetin e rajonit.
Sipas raportimeve të Balkan Green Energy News, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë kërkuar “përmirësime të synuara dhe të kufizuara” në kuadrin e CBAM-it, me qëllim që tranzicioni drejt tregut evropian të energjisë të jetë më i balancuar dhe më i zbatueshëm në praktikë.
Në një letër drejtuar Komitetit për Industri, Kërkim dhe Energji të Parlamentit Evropian, ministrat e energjisë të rajonit kanë shprehur shqetësimin se disa nga objektivat aktualë të mekanizmit mund të jenë të vështira për t’u arritur brenda afateve ekzistuese, veçanërisht në pjesën që lidhet me integrimin e tregjeve të energjisë, transmeton Energy Monitor.
CBAM, si pjesë e politikave klimatike të BE-së, synon të vendosë një kosto karboni për energjinë e importuar nga jashtë Unionit. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, kjo mund të ketë ndikim të ndjeshëm, duke marrë parasysh se një pjesë e konsiderueshme e prodhimit rajonal vjen ende nga burime me intensitet të lartë karboni.
Në këtë kuadër, vendet e rajonit kërkojnë më shumë fleksibilitet në zbatim dhe afate më të përshtatshme kalimtare, duke theksuar nevojën për një përafrim gradual me tregun energjetik të BE-së, pa krijuar tronditje të menjëhershme në tregtinë e energjisë elektrike dhe stabilitetin e furnizimit.



