Shqipe Neziri Vela është shpallur “Europiania e Vitit 2026” nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në vlerësim të kontributit të saj në avancimin e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe promovimin e qeverisjes së qëndrueshme në sektorin e energjisë në Kosovë dhe më gjerë.
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Neziri Vela është profesioniste me mbi 20 vite përvojë në sektorin e energjisë, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit. Ajo është bashkëthemeluese e rrjetit “Gratë në Energji dhe Miniera”, përmes të cilit ka kontribuar në ndërtimin e programeve të mentorimit dhe trajnimit për qindra studente dhe profesioniste të reja.
Përmes këtij rrjeti, ajo ka ndihmuar në krijimin e një gjenerate të re lidere në sektorë tradicionalisht të dominuar nga burrat, duke ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes së grave në industrinë energjetike dhe në përafrimin e praktikave të sektorit me standardet e Bashkimit Evropian, përcjell Energy Monitor.
Në ceremoninë e shpalljes, u theksua se Neziri Vela ishte një nga katër individët dhe organizatat e nominuara nga publiku në Kosovë, së bashku me Avni Mustafa, Dejan Radivojević dhe Rozafa Basha.
Procesi i përzgjedhjes është realizuar nga një panel vlerësues i përbërë nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe të Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ky vlerësim vjen si njohje për rolin e saj në forcimin e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë dhe në zhvillimin e një sistemi më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Kosovë.



