Një studim i ri mbi konsumatorët shqiptarë dhe tranzicionin e gjelbër tregon se shumica e qytetarëve në Shqipëri praktikojnë sjellje të qëndrueshme kryesisht për arsye ekonomike dhe jo për motive mjedisore.
Raporti “Konsumi i Qëndrueshëm në Shqipëri” nga UNDP analizon mënyrën se si shqiptarët blejnë, kursejnë dhe zgjedhin produktet në përditshmëri, duke nxjerrë në pah një realitet të dominuar nga presioni financiar, mungesa e besimit dhe shqetësimi për sigurinë ushqimore.
Sipas studimit, kursimi i energjisë dhe ujit rezulton të jetë sjellja më e përhapur “e gjelbër”, me indeksin më të lartë të efikasitetit të burimeve në nivelin 82 nga 100. S
humica e familjeve raportojnë se kursejnë energjinë elektrike, ujin dhe përpiqen të reduktojnë shpenzimet e përditshme, jo domosdoshmërisht për arsye mjedisore, por për të përballuar kostot e jetesës.
Raporti evidenton se “konsumi racional” – shmangia e blerjeve të panevojshme të modës apo elektronikës – është më i lartë te grupmoshat e mëdha dhe familjet me vështirësi ekonomike.
Indeksi i konsumit racional arrin në 90 pikë te familjet që deklarojnë se “nuk ia dalin dhe marrin borxh”, ndërsa te të rinjtë e brezit Gen Z bie në 59 pikë.
Një prirje e ngjashme vërehet edhe te ripërdorimi dhe riparimi i produkteve. Shqiptarët preferojnë të mbajnë sendet për një kohë të gjatë dhe t’i riparojnë para se t’i zëvendësojnë.
Megjithatë, kultura e blerjes së produkteve “të përdorura” mbetet e dobët, veçanërisht te të rinjtë.
Studimi thekson se sjelljet “e gjelbra” në Shqipëri lidhen kryesisht me nevojën ekonomike dhe zakonet e krijuara ndër vite.
Brezat më të vjetër, të rritur në periudhën e mungesave ekonomike dhe tranzicionit, rezultojnë më të prirur për kursim, riparim dhe menaxhim të kujdesshëm të burimeve.
Nga ana tjetër, ndërgjegjësimi për etiketat ekologjike dhe informacionin mbi produktet rezulton më i lartë te personat me arsim universitar dhe me të ardhura më të mira.
Kontrolli i etiketave të energjisë apo produkteve organike është më i zakonshëm te familjet ekonomikisht më të qëndrueshme.
Megjithatë, raporti evidenton një krizë të thellë besimi tek tregu ushqimor në Shqipëri. Vetëm 15% e qytetarëve deklarojnë se kanë besim tek cilësia e ushqimeve që shiten në vend. Shqetësimet më të mëdha lidhen me pesticidet, datat e skadencës, higjienën dhe etiketimet mashtruese.
Për këtë arsye, shqiptarët kanë zhvilluar sjellje “mbrojtëse” gjatë blerjeve. Plot 94% kontrollojnë vazhdimisht datat e skadencës, ndërsa 98% lajnë frutat dhe perimet për të shmangur kimikatet apo substancat e dëmshme.
Besimi është më i lartë kur produktet blihen direkt nga fermerët ose shitësit e njohur lokalë, ndërsa shitjet online për ushqimet perceptohen si më të pasigurta.
Sa i përket produkteve ekologjike, studimi tregon se konsumatorët shqiptarë janë skeptikë ndaj pretendimeve ekologjike. Vetëm 2% deklarojnë se besojnë plotësisht etiketat që pretendojnë se produkti është miqësor me mjedisin, ndërsa shumë të tjerë i konsiderojnë ato si marketing.
Çmimi mbetet pengesa kryesore për adoptimin e produkteve ekologjike. Gati gjysma e të anketuarve thonë se do të zgjidhnin më shumë produkte të qëndrueshme vetëm nëse ato do të ishin më të lira ose me subvencione.
Shqiptarët janë më të gatshëm të paguajnë më shumë vetëm kur përfitimi lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e familjes ose kursimin afatgjatë, si në rastin e ushqimeve organike apo pajisjeve që kursejnë energji.
Raporti arrin në përfundimin se Shqipëria ka një potencial të lartë për tranzicionin e gjelbër, por ky proces nuk mund të mbështetet vetëm te ndërgjegjësimi.
Sipas studimit, nevojiten politika që rrisin besimin tek tregu, përmirësojnë infrastrukturën e mbetjeve dhe ofrojnë alternativa të përballueshme ekonomikisht për konsumatorët.
/albanianpost.com



