Home / Lajme / Ndërkombëtare / Nofar Energy planifikon sisteme për ruajtje të energjisë me kapacitet 860 MWh në Rumani

Nofar Energy planifikon sisteme për ruajtje të energjisë me kapacitet 860 MWh në Rumani

Zhvilluesi izraelit i energjisë së ripërtëritshme, Nofar Energy, po planifikon zhvillimin e sistemeve të mëdha për ruajtje të energjisë me bateri, me kapacitet total prej rreth 860 MWh në Rumani, në kuadër të projekteve të integruara me parqe diellore ekzistuese dhe të reja në jug të vendit.

Sipas njoftimeve të kompanisë dhe burimeve të industrisë, projektet do të zhvillohen në dy lokacione kryesore, në Iepurești dhe Ghimpați, ku tashmë janë në zhvillim edhe kapacitete të mëdha fotovoltaike. Sistemet e baterive për ruajtje të energjisë do të jenë të lidhura drejtpërdrejt me këto parqe diellore, duke krijuar një model të integruar “diell + ruajtje e energjisë”, me synim rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik dhe optimizimin e prodhimit gjatë orëve të pikut.

Kapaciteti i kombinuar i këtyre investimeve e rendit projektin ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji në rajon, në një kohë kur Rumania po përshpejton ndjeshëm zhvillimin e infrastrukturës për ruajtjen e energjisë, si pjesë e integrimit më të madh të burimeve të ripërtëritshme në rrjet, transmeton Energy Monitor.

Sipas zhvilluesit, integrimi i baterive për ruajtje të energjisë me prodhimin diellor do t’i mundësojë kompanisë zhvendosjen e energjisë së prodhuar nga orët me prodhim të lartë drejt orëve me kërkesë më të madhe, duke rritur efikasitetin ekonomik të projekteve dhe duke kontribuar në stabilitetin e sistemit energjetik rumun.

Në një kontekst më të gjerë, Rumania po shfaqet si një nga tregjet më aktive në Evropën Juglindore për investime në energji të ripërtëritshme dhe sisteme për ruajtje të energjisë me bateri, me projekte të shumta në zhvillim që synojnë rritjen e kapaciteteve të ruajtjes në nivel gigavat-orësh në vitet e ardhshme.

Ky trend po e forcon gjithnjë e më shumë modelin e ri energjetik në Evropë, ku parqet diellore të kombinuara me sisteme për ruajtje të energjisë po bëhen standard në projektet e mëdha të prodhimit të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com