Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe Universiteti i Prishtinës kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi që synon forcimin e lidhjes ndërmjet institucioneve publike dhe akademisë në Kosovë.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu.
Sipas Pacollit, memorandumi do të mundësojë përfshirjen e studentëve dhe ekspertëve të UP-së në praktika profesionale, procese kërkimore dhe ekspertiza shkencore në kuadër të ministrisë, përcjell Energy Monitor.
“Ky bashkëpunim krijon një urë të rëndësishme ndërmjet institucioneve dhe akademisë, duke fuqizuar ekspertizën profesionale dhe shkencore në hartimin e politikave, përmirësimin e legjislacionit dhe zhvillimin e projekteve në fushën e mjedisit, planifikimit hapësinor dhe çështjeve pronësore”, ka deklaruar Pacolli.
Sipas njoftimit, bashkëpunimi synon gjithashtu avancimin e politikave publike dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët përmes angazhimit të kapaciteteve akademike në sektorin e mjedisit dhe planifikimit hapësinor në Kosovë.



