Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, mori pjesë në Forumin e 3-të për Investime të Qëndrueshme, të organizuar nga Këshilli Evropian i Investitorëve në Kosovë, ku ka paraqitur vizionin dhe prioritetet e Ministrisë për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.
Gjatë fjalës së tij, zëvendësministri Mehmeti theksoi se Kosova po hyn në një fazë të re të zhvillimit ekonomik, ku fokusi nuk është vetëm tërheqja e investimeve, por orientimi i tyre drejt sektorëve me vlerë të shtuar si prodhimi, inovacioni, industria përpunuese, teknologjia dhe rritja e eksporteve.
Ai nënvizoi se përmes reformave ekonomike, Ligjit për Investime të Qëndrueshme dhe planit për zhvillimin e 14 Parqeve Industriale të Gjelbra, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit po synon krijimin e një ambienti më konkurrues dhe më atraktiv për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë, përcjell Energy Monitor.
Sipas tij, këto politika janë të orientuara drejt ndërtimit të një modeli të qëndrueshëm ekonomik, i cili mbështet rritjen e prodhimit vendor, forcimin e industrisë dhe zgjerimin e eksporteve të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.
Zëvendësministri Mehmeti falënderoi Këshillin Evropian të Investitorëve në Kosovë dhe drejtorin ekzekutiv, Emrush Ujkani, për organizimin e forumit dhe për kontributin e vazhdueshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat në vend.



