Home / Zgjedhjet / Haradinaj premton ndërtimin e termocentralit të ri dhe realizimin e gazsjellësit amerikan

Haradinaj premton ndërtimin e termocentralit të ri dhe realizimin e gazsjellësit amerikan

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka premtuar ndërtimin e një termocentrali të ri dhe realizimin e gazsjellësit amerikan, në rast se legjislatura e re do të udhëhiqet nga kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ardian Gjini.

Këtë premtim Haradinaj e bëri të enjten gjatë një vizite në hapjen e fabrikës “Green House”.

“Pata kënaqësinë të marr pjesë në hapjen e fabrikës “Green House”. Familjet Rexhepaj dhe Mehmetaj, pas viteve të mërgimit në Zvicër, janë kthyer për të investuar në vendin e tyre, duke ndërtuar një kompani moderne që sot eksporton 100% në tregjet evropiane. Nga një hapësirë e vogël me qira, deri te një fabrikë moderne me kapacitete të avancuara prodhuese, ky është shembulli më i mirë se si puna e ndershme dhe vizioni mund ta bëjnë Kosovën konkurruese në Evropë”, thuhet në postimin e Haradinajt në Facebook.

Kandidati për deputet në këto zgjedhje, Haradinaj tha se bizneset po përballen me vështirësi për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike.

Sipas tij, zgjidhja për këtë problem do të arrihet nën qeverisjen e AAK-së me ndërtimin e termocentralit të ri.

“Megjithatë, bizneset tona sot po përballen me një barrë të rëndë, çmimin e lartë të energjisë elektrike, që po ua vështirëson konkurrencën me vendet fqinje dhe zhvillimin e kapacitetit prodhues. Nuk mund të kërkojmë më shumë prodhim, më shumë eksport e më shumë vende pune, pa ua krijuar kushtet e nevojshme atyre që investojnë. Në qeverinë e Ardian Gjinit, prioritet do të jetë ndërtimi i termocentralit të ri dhe realizimi i gazsjellësit amerikan, për t’u siguruar bizneseve energji stabile dhe me çmim më të lirë. Kosova duhet të bëhet vend ku investohet, prodhohet dhe punohet me dinjitet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com